E Diel, 1 Nëntor 2026

Misri shterpë, të ndryshojmë ligjin, që të mbrohemi



Historia e skandalit me farën e misrit duket se është ende në zhvillim e sipër. Me fjalë të tjera, një numër i madh, disa qindra e mijëra fermerë anekënd vendit nuk do të marrin dot prodhimin vjetor të tyre, për shkak të shterpësisë së farës se misrit të importuar nga një firmë e njohur shqiptare në sigurimin e lëndëve të parë (inputeve) bujqësore. Gjatë këtyre dy javëve janë artikuluar qëndrime e komente të ndryshme rreth këtij skandali, e përbashkëta e të cilave është vënia e theksit në përgjegjësinë e strukturave shtetërore për dëmin që u është shkaktuar fermerëve, por edhe janë ofruar skema për kapërcimin e problemit përmes ndërhyrjes buxhetore etj. Në gjykimin tim, për shkak të këtij skandali janë cenuar rëndë interesat themelore të pjesës më të varfër të popullsisë, prandaj edhe trajtimi nga ana e autoriteteve përgjegjëse shtetërore duhet bërë me tërë seriozitetin e duhur. Ashtu si dhe në rastin e tragjedisë së Gërdecit, skandali i farës shterpë të misrit mendoj se përbën një histori të ndërlikuar, në të cilën gërshetohen aspekte institucionale e juridike si dhe monetare njëkohësisht, pa përmendur deformimet në funksionimin e tregjeve që çuan në rrënimin e këtyre fermerëve.

Së pari, nga pikëpamja institucionale, çmoj se nisur nga ky rast duhet rishikuar në tërësi kuadri ligjor që rregullon importimin dhe prodhimin në vend të farës së misrit. Kjo, mbasi nga studimi i këtij kuadri shihet qartë se ndërhyrjet e kryera në të, tetë a nëntë vjet më parë, sidomos në drejtim të kërkesave ligjore e teknike për importimin e farërave dhe fidanëve, kanë lehtësuar importimin e farërave të vjetruara, të cilat blihen me çmime të lira dhe shiten shtrenjtë në tregun e brendshëm. Sipas specialistëve të kësaj fushe, me vjetrimin e farës humbasin vlerat biologjike dhe përkeqësohen treguesit e potencialit ripërtëritës të saj. D.m.th. shterpësia e farës rritet me kalimin e kohës, ashtu siç ulet edhe çmimi i blerjes deri në disa herë më ulët se fara e zakonshme në periudhë normale, duke rritur kështu ndjeshëm fitimet e importuesve pa konkurrentë në tregun e brendshëm. Aq më tepër që asgjësimi i farës së vjetruar apo jashtë përdorimit në vendet perëndimore shoqërohet me pagimin e taksave nga ana e firmave prodhuese përkatëse. Kjo situatë e bën më të leverdishme për këto të fundit eksportimin e tyre në vende ekstra-komunitare, në të cilat nuk zbatohen rregullat përkatëse ligjore apo këto rregulla janë të paqarta, kontrolli nga institucionet shtetërore është i dobët etj., si në rastin e vendit tonë. Me qëllim që t’i pritet njëherë e mirë rruga kësaj dukurie që rrezikon të shtrihet në të ardhmen edhe në fusha të tjera të bujqësisë, blegtorisë, pyjeve etj., mendoj se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit duhet të rishikojë e përmirësojë urgjentisht kuadrin ligjor dhe institucional përkatës së bashku me vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës.

Së dyti, dihet se shitblerja e inputeve bujqësore është një marrëdhënie kontraktore me detyrime reciproke ndërmjet palëve. Në këtë kuptim, mendoj se ishte korrekt qëndrimi i ministrit të Bujqësisë në përcaktimin se “nuk do të përdoren para buxhetore për të shpërblyer fermerët e dëmtuar nga fara shterpë e misrit”. Taksat e qytetarëve mund dhe duhet të përdoren vetëm në destinacionet e përcaktuara nga ligji dhe askush - as vetë qeveria - nuk duhet të ndryshojë këtë destinacion, siç ishte për shembull shpërblimi i familjeve të dëmtuara nga tragjedia e Gërdecit, i trajtuar nga qeveria si “një aksident teknologjik” (www.km.gov.al). Nisur nga fakti se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit ka në përbërjen dhe në misionin e saj edhe shërbimin këshillimor ndaj fermerëve, mendoj se objekt i punës së këtij shërbimi mund dhe duhet të jetë edhe kontrata për shit-blerjen e inputeve në funksion të mbrojtjes së interesave të këtyre të fundit. D.m.th. përcaktimi i standardeve të kësaj deklarate derisa të krijohet një kulturë tjetër shërbimi në marrëdhëniet ndërmjet firmave private që sigurojnë inputet dhe fermerëve që i blejnë ato.

Së treti, nisur nga roli kontrollues i shtetit dhe mundësitë teknike që janë krijuar si me burimet e buxhetit të shtetit, ashtu edhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare (FAO etj.) mendoj se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit duhet të rishikojë rolin e institucioneve të saj vartëse, posaçërisht të Entit të Farërave për fuqizimin e bazës laboratorike përkatëse si në funksion të prodhimit në vend të farërave, ashtu edhe të kontrollit rigoroz të importimit të tyre. Në këtë rrugë edhe adoptimi i standardeve dhe kërkesave të BE-së do të realizohet më shpejt, por mbi të gjitha, do të rritet roli i shtetit në parandalimin e fatkeqësive të këtij lloji, nga të cilat nuk janë të përjashtuar edhe sektorë të tjerë të bujqësisë; shërbimet publike (shëndetësia, etj.) apo degë të veçanta të ekonomisë sonë kombëtare. Në këtë rrugë do të shmanget edhe futja e hetimeve (nëse ato do të fillojnë ndonjëherë nga Prokuroria) në rrugë pa krye apo qëndrimi në pritmëri të “përfundimeve të analizave nga kompania franceze” (?!). Kudo tjetër në botë hetimi nga firma “mëmë” për një firmë “bijë” nuk mund të mos çojë në përfundime të njëanshme dhe në dëm të palës së dëmtuar (në rastin tonë - fermerëve shqiptarë), përndryshe do të konsiderohen si “konflikt interesi”. Ja përse laboratorët duhet të disponohen nga autoritetet shqiptare, të cilat mbahen me taksat e qytetarëve shqiptare dhe, sipas ligjit, duhet t’u shërbejnë atyre…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›