Një letër për Azem Hajdarin
Hej mik, vëlla, shok, lider a kryetar, si të duash po të thërras, ti të gjitha i ke, jo vetëm për mua, për shumë kënd në Shqipëri e ngado që flitet shqipja. Ti e meritove këtë emër qysh në ditët e para dhjetorit ‘90, kur të ndoqëm pa pikën e hezitimit se vetë na the “që për demokracinë kishe vënë në hipotekë dy fëmijët e tu” e vërteta doli se për demokracinë, Shqipërinë, çështjen tonë kombëtare ti kishe vënë në hipotekë jetën tënde. Por lëre ta harrojmë dhimbjen, bile edhe lavdinë për një çast. S’është ky shkaku që po të shkruaj. Tjetërçka më ka shtyrë të gërmëzoj. Dua të të kërkoj falje. Jam larg, larg, shumë larg, jam në Lindje, jo në të Afërmen, jo, jo, as në të Mesmen, jam në Lindjen e Largët. Nuk ka më larg se jam, jam në Japoni, në fund të saj, në Obihiro. Desha të të kërkoja falje që nuk t’u gjenda pranë në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike. Para se të nisesha për në Japoni, i bëra një kërkesë Presidentit te Republikës, zotit Topi, ku i kërkoja që të nderonte Liderin e Lëvizjes Studentore (pra, ty) me Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ai u përgjigj me gojë dhe me dekret: “Po”. Rruga për në Japoni kaloi nëpër Romë, ku vizitova edhe një herë pothuaj të gjithë krenarinë e Romës. Ngjitur me Fontana di Trevi është Vicola Skanderbeg në fund të rrugicës sheshi “Skënderbeg”, dhe shtëpia e Skënderbeut, e shndërruar në Muze Nacional të Italisë. Shkova edhe te sheshi “Albania” ku ngrihej madhështor monumenti i Skënderbeut. U ndjeva krenar miku im, prijësi ynë i lirisë, por edhe u trishtova, u ligështova, u ndjeva ngushtë. Ti e çlirove vendin tënd nga prangat e Lindjes ku e kishte mbyll diktatura, ti i prire lëvizjes që u ktheu shqiptarëve Perëndimin. Pse vallë nuk duhet ta kesh një përmendore në më të madhin shesh që ka Shqipëria, pse jo ballë për ballë me Skënderbeun? Ai flijoi vendin e tij për të mbrojtur Perëndimin, Krishtërimin, ti e ktheve atë te shqiptarët, ti i çele portat e ndryshkura të Shqipërisë drejt Perëndimit. Shqipëria, vendi yt, i imi, është i mbushur edhe sot e kësaj dite me monumente mostrash që kanë vrarë njerëz. A thua kaq e vështirë është të gjendet një vend dinjitoz siç ti e meriton ku të vendoset përmendorja jote, përmendorja e Liderit të Lëvizjes Studentore. Ti tashmë je një monument-kujtim i vlershëm guximi, kurajoje, qytetarie. Je një medalje në gjoksin e çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e do dhe çmon lirinë dhe demokracinë për vetën dhe për të tjerët. Miku im, lideri dhe kryetari im i parë, të betohemi unë dhe gjithë ata që të ndoqën në rrugën tënde të lirisë se nuk do të lëmë gur pa luajtur që ty të të kthehen të gjitha vlerat dhe vlerësimet që ti meriton. Miqtë e mi të grupimit “Dhjetor ‘90” do të ti bëjnë të gjitha nderet në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike, por edhe unë këtu në Obihiro do të kujtoj me mall dhe dhimbje, miku im, lideri ynë... Azem Hajdari!
*Kryetar i grupimit “Dhjetor ‘90”
*Kryetar i grupimit “Dhjetor ‘90”