E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, hidhen poshtë të gjitha ankesat e biznesit

 

Komisioni kuvendor i Ekonomisë miratoi dje të gjitha propozimet e qeverisë për ndryshimet në ligjet "Për Procedurat Tatimore" dhe "Për Administratën Tatimore", pa marrë parasysh asnjë nga vërejtjet e biznesit.

Ndryshimet u shpjeguan para deputetëve nga përfaqësuesja e zyrës juridike në Ministrinë e Financave, znj.Lindita Rusmali. Sipas Rusmalit, "kur Administrata Tatimore nxjerr vlerësimin e një detyrimi tatimor në përputhje me ligjin, detyrimi tatimor i vlerësuar, paguhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data në të cilën tatimpaguesi ka marrë ose konsiderohet të ketë marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesë".

Si lehtësi për biznesin u prezantua fakti që tatimpaguesi mund t'i paguajë detyrimet tatimore në mënyrë elektronike, nëpërmjet bankave ose institucioneve të tjera, që kanë lidhur marrëveshje me administratën tatimore për të pranuar këto pagesa.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i qe drejtuar publikisht medias dhe deputetëve si shpresa e fundit për të parandaluar disa ndryshime ligjore, që konsiderohen si jashtëzakonisht arbitrare dhe që rrisin shkallën e rrezikut të të bërit biznes në Shqipëri, për shkak të shkallës së lartë të lirisë të organeve tatimore për të përcaktuar fatin e pasurive të tatimpaguesve.

"Nëpërmjet kësaj konference për shtyp tërheqim vëmendjen e medias, të qeverisë, të deputetëve dhe të gjithë opinionit, për të shmangur që organet tatimore të kthehen në organe rendi, për të shmangur abuzivizmin dhe korrupsionin që do të pasojnë automatikisht, dhe me qëllimin e rimëkëmbjes së parimit që biznesi dhe administrata tatimore janë partnerë",- deklaroi dje Dhoma.

Deputetët në Komisionin e Ekonomisë shqyrtuan, nen për nen, ndryshimet dhe i miratuan ato pa asnjë vërejtje apo sugjerim.

Referuar projektligjit, në qoftë se tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor, Administrata Tatimore nëpërmjet një urdhri me shkrim të lëshuar nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale, apo i njësisë së ngjashme me të, si dhe titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke në të cilën tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të mbajë një shumë e cila duhet të jetë më e vogël, ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet, dhe shumës që rezulton në atë moment në llogarinë bankare të tatimpaguesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›