E Shtunë, 31 Tetor 2026

DHSP vë alarmin: Nuk ka higjienë në shkolla

19/09/2009  Shpërndahen dezinfektantët, mungon uji

Ka qenë një kontroll i bërë nga Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, në shkollat e qytetit të Beratit, i cili ka vënë në alarm këtë institucion për mosmarrjen e asnjë mase higjienike në mbrojtje kundër të virusit AH1N1. Pikërisht në lidhje me këtë kontroll Drejtori i Shëndetit Publik Irfan Dyli ka bërë të ditur se në shkolla nuk ka ujë të rrjedhshëm, nuk ka depozita të sakta dhe asnjë lloj detergjenti që të shërbejë për pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të shkollave. Kjo sipas Dylit rrezikon përhapjen e një epidemie të virusit të shumë përfolur. Edhe pse ky kontroll është bërë para datës 14 të këtij muaji, ka qenë pikërisht bashkia, e cila me hapjen e dyerve të shkollave ka nisur furnizimin e shkollave me detergjent dhe riparim të depozitave për të mbajtur ujë. Por sipas mësuesve në shkollat e qytetit të Beratit uji i depozituar nuk është i mjaftueshëm për nxënësit për shkak të numrit të lartë të tyre, ndaj ata pohojnë se ajo që do të ruajë vërtet fëmijët nga virusi është lidhja e rrjetit të shkollave me tubacionin kryesor të ujësjellësit për të pasur ujë pa ndërprerje. Sipas drejtorit të shkollës 9-vjeçare “22 Tetori” në qytetin e Beratit Irakli Strori bëhet e ditur se që në fillim janë marrë masa për rregullat higjienike që duhet të zbatohet nga nxënësit duke iu dhënë atyre informacionin e nevojshëm. Ndërsa është bërë dezinfektimi i tualeteve dhe ambienteve rreth shkollës. Duke qenë se në këtë godinë 3-katëshe arsimohen 850 nxënës, Strori bën të ditur se stafi pedagogjik bën ç’ është e mundur për ruajtje të higjienës, ndërsa ajo që shqetëson është mungesa e ujit të rrjedhshëm. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›