Maturantët shpërthejnë derën e UV-së
19/09/2009 Kandidatët për student, të cilët kanë fituar të drejtën për të studiuar në Universitetin e Vlorës, por për shkak të mesatares nën 6 nuk mund ta bëjnë këtë gjë, kanë hapur forcërisht derën e godinës së re të këtij universiteti. Gjithçka ka nisur rreth orës 10 të mëngjesit kur kandidatët për studentë apo prindër të tyre, pas informacionit të marrë se ministria kishte vendosur që universiteti t’i pranonte këta maturantë pavarësisht vendimit të senatit, ka bërë që të kërkohej me ngulm nga këta të fundit regjistrimi për në shkollën e lartë. Për rreth 2 orë studentët kandidatë kanë replikuar me sekretarët që kryenin regjistrimet ku i kërkonin ti regjistronin, por sekretariati nuk e ka pranuar këtë gjë pasi urdhri i marrë ishte që mos të pranohej asnjë prej maturantëve që nuk kishte mesatare më të larë se 6, lista e të cilëve ishte afishuar në dyert e godinës së universitetit. Rreth orës 12 revolta e kandidatëve është shtuar duke bërë që të qëlloheshin dyert e godinës së re të universitetit ku pas disa minutash të gjithë kanë hyrë forcërisht, duke shqyer derën e godinës. Pas disa minutash pranë universitetit kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë qetësuar maturantët, si dhe nuk kanë lejuar që të kalonin në katet e tjera të ndërtesës.
Dh. Spiro
Dh. Spiro