E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonohen procedurat për investimin, mësim në shkollën-stallë

19/09/2009  Rreth 250 nxënës të fshatit Hingë do të sistemohen në ambiente të përshtatshme

Fondi është akorduar, por burokracirat pengojnë fillimin e punimeve për shkollën e re

Dhe pse janë akorduar fondet për ndërtimin e shkollës së fshatit Hingë, në rrethin e Beratit vonesat në procedura kanë bërë që dhe për këtë vit të ri shkollor mësimi të nisë në ambientet e një ish-stalle. Që prej dy muajsh Ministria e Arsimit ka akorduar fondin për ndërtimin e shkollës së re të fshatit Hingë, në komunën Poshnje, por ende nuk ka nisur ndërtimi i objektit. Dhe për këtë vit të ri shkollor 250 nxënësit dhe stafi pedagogjik i saj janë detyruar të zhvillojnë mësimin në ambientet e ish një stalle që i është marrë me qira pronarit. Në kushte aspak të favorshme, ku ambientet janë të pamjaftueshme dhe energjia elektrike mungon dhe në ditët me vranësira zhvillimi i mësimit bëhet thuajse i pamundur, plot 250 nxënësit e arsimit nëntëvjeçar kanë nisur të mësojnë për këtë vit të ri shkollor. Vendimin për zhvillimin e mësimit në këto ambiente e mori një vit më parë Drejtoria Arsimore në Berat. Shkolla ku kryenin mësimin nxënësit rrezikonte të shembej dhe në këto kushte u vendos që përkohësisht mësimi të kryej në ambientet e një stalle të marrë me qira. Në të njëjtin ambientet ku mbyllën vitin shkollor nxënësit janë ulur në banka dhe për këtë vit të ri shkollor. Ambientet e ish stallës të përshtatura në klasa kanë pritur nxënësit që nuk dihet se dhe sa kohë duhet të presin për të mësuar në shkollën e re, godina e së cilës ende nuk ka nisur. Burime nga Drejtoria Arsimore në Berat bëjnë me dije se ministria përkatëse ka akorduar fondin për ndërtimin e shkollës pas shqetësimeve të ngritura pranë saj. Ndërtimi i shkollës së fshatit Hingë është parë si primar për vetë shqetësimet që paraqet zhvillimi i mësimit në ambientet e një ish-stalle. Por, dhe pse janë akorduar 400 mijë euro për ndërtimin e godinës, ende procedurat nuk kanë përfunduar. Burime pranë komunës Poshnje bëjnë me dije se vonesat në lëvrimin e fondit përkatës bënë që dhe tenderimi të mos zhvillohet në kohë. Në këto kushte 250 nxënësit duket se do të përfundojnë semestrin e parë të shkollës në ambientet e shkollës stallë.

S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›