E Shtunë, 31 Tetor 2026

DHTI: Drafti për amnistinë fiskale

Amnistia e plotë fiskale për biznesin si një hap i nevojshëm për ekonominë e vendit po grumbullon vlerësimet e para pozitive. Ndërkohë Dhoma e Tregtisë e Tiranës ka nisur hartimin e një draft ligji të plotë për këtë amnisti.

"Ka 20 vjet që ka shmangie të taksave. Mendoj që aministria fiskale do
të ndihmojë si në zgjidhjen e problemit të së drejtës së pronësisë, pasi
do përcaktohet kush e ka këtë dhe atë, po ashtu do ndihmojë dhe në
kthimin e kapitalit, që qëndrojnë në bankat e huaja në vendin tonë. Dhe
për njehësimin e likuiditetin në sistemin bankar", thote Sybi Hida,
deputet i PD.

"Rëndësi të madhe në këtë pjesë ka që ky ligj të jetë sa më i qartë, i
painterpretueshëm, i mirëzbatueshëm nga të gjithë aktorët e interesit.
Ka rëndësi vlerësimi i sistemit fiskal të vendit në periudhën paraprake
po kështu dhe vlerësimi i informalitetit. Grupet e punës të ngritura
kanë këtë fokus pune të tyre, dhe do ta prezantojnë këtë", u shpreh
Eugenia Gjuraj, drejtore ekzekutive DHTI.

Amnistia fiskale në vendin tonë ka mundësinë e jetë e suksesshme edhe
falë përvojave të vendeve që e kanë kaluar këtë proces. Kjo përvojë do
të përfshihet edhe në ligj.   

"Unë kam pasur fatin të marr pjesë në amnistinë fiskale që propozoi
presidenti i Moldavisë në 2007 e cila ishte një amnisti që kishte të
bënte si me faljen e taksave, borxhit që kishin kompanitë, po ashtu dhe
legalizmin e kapitalit, e cila në këndvështrimin tim ka rezultuar e
suksesshme, pasi ndihmoi si në rritjen e likuiditetit në treg, po ashtu
ka ndihmuar në rritjen e investimeve të huaja direkte në ekonominë e
Moldavisë", vijoi Hida.

"Materiali i prezantuar me elementët e një draftligji është fokusuar në
përvojën spanjolle, gjermane, italiane të kombinuara këto dhe me
sistemin moldav, po punohet intesivisht për tu prezantuar si draft i
plotë nga institucioni ynë", tha Gjuraj.

Javën e kaluar edhe ministri i Financave e vlerësoi pozitivisht nismën e
biznesit për amnisti fiskale. Kjo ka nxitur punën për hartimin e
shpejtë të një drafti ligjor për këtë amnisti.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›