Amnistia fiskale, Konfindustria kërkon falje totale
KRIZA EKONOMIKE
Me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së Amnistisë Fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së "biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim
TIRANë - Konfindustria, duke shprehur kënaqësinë e pranimit në parim të hapjes së debatit për amnistinë fiskale nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet shprehjes publike nga Ministri i Financave Ridvan Bode njëkohësisht, shprehet kundër kufizimit të amnistisë vetëm ndaj bizneseve dhe lënien jashtë të qytetarëve shqiptare. Konfindustria shpreson, se përqendrimi i sqarimit publik te Ministrit te Financave ne parashikimin e amnistisë fiskale vetëm për kategorinë "biznese" dhe duke mos përmendur përfshirjen në procesin e shpërmendur edhe të "qytetarëve" shqiptare, ishte vetëm një harresë e ndodhur për shkaqe kohore dhe nuk paraqet qëndrim të paracaktuar të ekzekutivit.
Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së Amnistisë Fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së "biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim. Parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20 vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar. Qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte pikërisht hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na ka prekur ndjeshëm dhe qartë. Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin pasur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale. Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptare janë pikërisht kategoria, që për vite me radhë nuk iu është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre sikurse ndodh në të gjithë vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kane pasur me kohë një mundësi të tillë. Duke shtuar këtu dhe faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem do të ishte krejtësisht e papranueshme përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të zotëruesve të kapitaleve "qytetarëve", që mund të formalizohen.
Konfindustria, në bashkëpunim me partnerët e saj nga vendet e BE me përvojë në fushën e amnistisë fiskale, po përgatit projektin e faljes fiskale, që shpejt do ti paraqitet institucionalisht qeverisë shqiptare dhe publikut në përgjithësi. Projekti i Konfindustrisë ka si një nga shtyllat kryesore përfshirjen në proces në mënyrë të njëkohshme të, qytetarëve dhe biznesit pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë do të shpresojmë se mund të kryejmë një proces të suksesshëm dhe me vlerë për mbështetjen e ekonomisë kombëtare në tërësi në çastet e vështira që po kalojmë.
Kosovë, i thuhet “jo” privatizimit të Trepçës
“Për shkak se aktualisht gjiganti ‘Trepça’ është duke u këndellur, ka përmirësime të mëdha në fushën e minierave dhe të gjithë ndërmarrjes, është një trend pozitiv i ecjes përpara”
Prishtinë - Autoritetet kosovare kanë formuar një grup të ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, që do t’i analizojnë të gjitha mundësitë që miniera “Trepça”, të ristrukturohet dhe të jetë sa më e qëndrueshme dhe të mos privatizohet. Zëdhënësi i kompanisë “Trepça”, Bislim Muçaj, thotë se menaxhmenti mirëpret vendimin e autoriteteve kosovare për mosprivatizimin e ndërmarrjes, meqë pas krizës ekonomike globale, ka pasur zhvillime pozitive. “Për shkak se aktualisht gjiganti ‘Trepça’ është duke u këndellur, ka përmirësime të mëdha në fushën e minierave dhe të gjithë ndërmarrjes, është një trend pozitiv i ecjes përpara, prandaj është e hershme çështja e privatizimit”, thotë Muçaj. Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë. Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. Nga minierat, xehja e plumb-zinkut përpunohet deri në koncentrat, që më pas shitet në tregun evropian. Kompania “Trepça” është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Zëdhënësja e AKP-së, Arta Gosalci, thotë se Trepça nuk është në listën e privatizimit të ndërmarrjeve, të cilat do të privatizohen gjatë këtij viti. “Nuk parashihet të ketë privatizim të Trepçës në këtë vit, ndërsa për kriteret dhe procedurat e mëtutjeshme të këtij gjiganti metalurgjik të Kosovës, do të vendoset në të ardhmen”, shprehet Gosalci. Një ndër problemet kryesore që thuhet se po e mban peng kombinatin “Trepça”, në aspektin e zhvillimit dhe atë të privatizimit, është borxhi i krijuar që në vitet ‘90, kur ky kompleks menaxhohej nga pushteti serb. Ekspertja e energjetikës, Fllanza Hoxha, vlerëson se Kosova ka resurse nëntokësore dhe shfrytëzimi i këtyre resurseve minerale është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Hoxha thekson se duhet të bëhen investime në këtë ndërmarrje, në mënyrë që kjo të rimëkëmbet. “Kapacitetet financiare të Kosovës janë shumë të vogla për ta rimëkëmbur Trepçën. Kjo duhet të punohet me një kujdes shumë të madh, dhe me një investim privato-publik, mund të rimëkëmbët”, thekson Hoxha. REL
METE: Situata në HEC-ve është nën kontroll
Tiranë - Megjithëse gjatë dy ditëve të fundit vendi jonë është përfshirë me rreshje në të gjithë territorin, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton se situata në hidrocentrale dhe kaskada janë nën kontroll, dhe se në mbikqyrjen e tyre po punohet maksimalisht. Bazuar në informacionet e grumbulluara në këtë ministri, prodhimet në hidrocentralet e vendit kanë qenë 25 milion e 177 mijë kilovat orë dhe konsumi gjatë kësaj dite ka qenë 23 milion e 520 mijë kilovat orë. Ndërkohë që janë eksportuar 7 milion e 800 mijë kilovat orë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton gjithashtu edhe në lidhje me situatën gjatë ditës së shtunë , ku sipas të dhënave deri në orën 17 të kësaj dite niveli i kaskades së fierzës ka arritur në 287.24 metër, dhe ka sjellë prurje 550 metër kub në sekondë. Ndërkohë niveli i Komanit deri në orën 17 të së shtunës ishte 171.05 metër, dhe ka pasur prurje anësore 170 metër kub në sekondë. Si dhe niveli i Kaskadës së Vaut të Dejës ishte 74. 33 metër , me prurje 50 metër kub për sekondë .
AMC dhuron për Shën Valentin koncert me Reamonn
TIRANë - Mbi 2000 te rinj kanë pritur ditën e të dashuruarve nën shoqërinë e tingujve të grupit Reamonn në Pallatin e Kongreseve. AMC ka dashur tu bëjë një dhuratë të veçantë të dashuruarve dhe atyre që dashurojnë muzikën duke i ftuar të gjithë në Pallatin e Kongreseve për të pritur Shën Valentinin nën muzikën e mrekullueshme të grupit Reamonn. Që në hyje të Pallatit të Kongreseve para se të fillonte koncerti, AMC ka krijuar atmosferë festive me plot ngjyra dashurie duke prezantuar një botë plot dashuri me engjëj, zemra, çokollata, etj. Në koncertin e organizuar nga AMC ishin të ftuar edhe artistë shqiptarë që i paraprinë performancës së grupit Reamonn. Ishin grupi Burn dhe këngëtari Edmon Mancaku që performuan para publikut si të ftuar para se skenën ta zotëronin Reamonn me këngët e tyre. Grupi gjermano-irlandez këndoi live para publikut shqiptar pjesët më të njohura të tyre, nga gjashtë albumet që kanë publikuar deri tani. Disa prej këngëve që u kënduan në skenë ishin të albumit të tyre të fundit të cilin e kanë titulluar me emrin e grupit “Reamonn”. Publiku në sallë e priti shumë mirë grupin duke e shoqëruar me duartrokitje pas çdo kënge. Një pjesë e mirë e këngëve të Reamonn, si “Star”, “Tonight”, “Supergirl” etj. u kënduan bashkarisht nga solisti i grupit, Rea Garvey, dhe të rinjtë e pranishëm në publik. Koncerti prej katër orësh u ndoq nga më shumë se 2000 të rinj e të reja që kishin mbushur më plot se kurrë Pallatin e Kongreseve. Në fund të koncertit pjesëtarët e grupit falënderuan publikun e pranishëm që i pritën aq ngrohtë dhe organizuesit e koncertit. Grupi Reamonn përbëhet nga: Rea Garvey vokalist dhe kitarë, Uwe Bossert kitarist, Mike Gommeringer baterist, Philipp Rauenbusch basist dhe Sebastian Padotzke që luan në organo, piano dhe saks. Të gjitha biletat e këtij koncerti u dhuruan nga ana e AMC nëpërmjet AMC-Easy, duke dërguar mesazhe në numrin 15177 si edhe nëpërmjet profilit mjaft aktiv të AMC në Facebook. çdo ditë me AMC është një festë plot argëtim, dashuri dhe muzikë sepse AMC e shikon botën si ti.