DIL NGA BUNKERI !
Edhe pse Kushtetuta mbetet dokumenti themelor për çdo shtet, çdo i mandatuar betohet mbi të e për të kur merr ofiq, përsëri ajo mbetet dokumenti më i sulmuar, më i shkelur, por dhe më i përdorur. Nga ana tjetër, shpesh vallja e fjalëve rreth saj nuk ngjan me Rock-un, ajo është më e pavërteta, veçanërisht kjo që po hidhet tani! Gjithnjë, debati për të e mbi të, mbetet legjitim. Josh këdo që të bëjë heroin rreth e rrotull saj, por edhe të shtrydhë mendjen e përdorur rrallë, për të gjuajtur me slogane sovjetike anë e mbanë e që kanë në majë të gjuhës përsëri Kushtetutën.
Meritojnë respekt të gjitha opinionet e konstitucionalistëve, shprehur edhe në këtë rast rreth Kushtetutës dhe ndryshimeve në të. Por opinionet e disa politikanëve, të ngritura në fushatë, nuk kanë lidhje me përmbajtjen e Kushtetutës, të artikuluara nga bunkeri gjejnë të ngjashëm në libra, produkt i mendjes që ngriu në kohën e "Luftës së Ftohtë". Dhe këtu përfshihen edhe ata që e kanë zët të marrin lapsin e të shkruajnë, kompjuterin e qëllojnë, por që në media thonë se ky është editoriali im! Duke e identifikuar thjesht me fjalën më të përdorur dikur nga Enver Hoxha - "Puç"! Në mes të të gjithë këtij pazari llafesh që nuk ka lidhje as me cilësinë e demokracisë, as me lirinë moderne, as me forcën e qetë, natyrisht që ka nevojë për pak dritë.
Së pari, për atë që i referohet ndryshimeve kushtetuese dhe që cilësohet si "puç". Duhet thënë se kritikët më të shumtë, madje dhe i pari ndër ta thonë "puç" duke iu referuar procedurës.
Në fakt për ndryshimet në Kushtetutë, në të flet neni 177. Në të thuhet: 1- Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit. 2- Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. 3- Projekti miratohet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. 6- Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës... Asnjë nga këto pika, me anë të të cilave Kushtetuta rregullon ndryshimet e saj, nuk është cenuar në Kuvend. Mbetet të verifikohet norma që i referohet Presidentit. Të tjerat janë respektuar rigorozisht duke shënuar në Kuvend një shumicë, shumë mbi 2/3. Madje një shumicë që nëse i mbetemi thirrjeve morale të dëgjuara rëndom së fundi, nuk lë hapësirë për zbatimin e pikës 4 të këtij neni: Kuvendi mund të vendosë me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum.
Natyrisht e drejta për referendum është legjitime nga pikëpamja e normës kushtetuese. Por numrat janë të shkurtër. Vetëm nëse rikthehet "Tregu i gjësë së gjallë", për të bërë pazar deputetësh, kësaj radhe "për të mbrojtur Presidentin"- siç thonë, mund të ndodhë ndryshe.
Gjithsesi "puç"-i këtu nuk duket. Madje situata kësaj radhe duket më normale sesa atëherë - nuk është larg, një vit -kur Kushtetuta u ndryshua "pa puç", duke hipur mbi bankat e Parlamentit. Legjitimisht!
Së dyti, për atë që i referohet përsëri "puç"- it, kësaj radhe në përmbajtje, duke pasur në vëmendje "rrëzimin e Republikës Parlamentare". Në Kushtetutë, duke iu referuar "procesit ligjvënës", mbetet i pandryshuar neni 81. Natyrisht ky nen nuk ka lidhje shumë me akuzën e ngritur për "rrëzimin e Republikës Parlamentare". Por ky nen thotë shumë, madje përcakton shumicë të cilësuar për disa ligje të cilat janë edhe themelet e shtetit. Kushtetuta me këtë nen vendos parime që i kalojnë kufijtë e një mazhorance të thjeshtë. Vendos balancën dhe konsensusin, pse jo edhe kontrollin e pakicës si elementin kyç për prekjen e këtyre ligjeve. Ky nen nuk është cenuar në asnjë germë. Duke mbetur i tillë edhe për të ardhmen.
Në të thuhet: 1- Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet si dhe 20 mijë zgjedhës. 2- Miratohen me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit: a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta; b) ligji për shtetësinë; c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore; ç) ligji për referendumet; d) kodet; dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme; e) ligji për statusin e funksionarëve publikë; ë) ligji për amnistinë; f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.
Edhe këtu, cilësisht, në përmbajtje "puç"-i nuk duket. Madje situata duket më normale se sa atëherë – nuk është larg, vetëm një vit – kur Kushtetuta u ndryshua duke tjetërsuar institucionin, fjala bie KQZ-në. Legjitimisht!
Së treti, akuza për "puç" formalizohet duke u bërë më konkrete: goditën rolin e Presidentit duke e zgjedhur me shumicë të thjeshtë! Natyrisht që nuk e kanë seriozisht! Të gjithë kuptuan se kur doli në pazar ky argument ai u rrotullua nëpër gojë, në mendje nuk u çua kurrë, si një instrument për të prekur atje ku dhemb dhëmbi: tek ndryshimet për sistemin zgjedhor! Pra Presidenti dhe zgjedhja e tij u përdor. Këtë mjafton për ta parë, dhe një editorial i djeshëm që e përmendte si shkarazi këtë çështje, diku nga fundi, në ballë mbetej sistemi i ri zgjedhor. Edhe pse qëllimisht për referendum çështja bazë e servirur mbetet kjo e Presidentit. Populli do ndëshkonte keq këto partitë e vogla në referendum, nëse ato do të kërkonin të shtronin edhe çështjen e sistemit të ri zgjedhor.
Pavarësisht kësaj, argumentet politike janë kapur këtu. Është thënë e është bërtitur se socialistët rikthyen Kushtetutën e '94- ës, të cilën populli i majtë e rrëzoi, madje rrëzuan Kushtetutën e '98- ës, që populli i majtë e votoi! Aq e fortë është e bërtitura, sa kanë tre javë që nuk lejojnë popullin të lexojë Kushtetutën e tij.
Neni 87 i Kushtetutës i referohet zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në të thuhet: 1- Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh............. 9- Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.
Kjo është pika e fundit e nenit 87 që parashikon zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Kuvendit. Siç ndryshimet kushtetuese të fundit e riadaptuan. Kjo është Kushtetuta e vitit '98- të, që populli i majtë e votoi. Ajo nuk është cenuar. Madje kjo nuk ka lidhje fare me Kushtetutën e '94- ës, që populli i majtë e rrëzoi.
Duhet thënë se ndryshimet e fundit kushtetuese kanë hequr mundësinë e krizës. Në Kushtetutën e '98- ës, zgjedhja e Presidentit me shumicë të thjeshtë bëhej pas 3 palë zgjedhjesh. Pra, votohej për Parlamentin, ai nuk e zgjidhte dot Presidentin me 3/5 - shpërndahej. Votohej prapë për Parlamentin, ai përsëri nuk e zgjidhte dot Presidentin, përsëri shpërndahej. Votohej për herë të tretë për Parlamentin dhe ai duhet ta zgjidhte Presidentin me shumicën e thjeshtë.
Të gjithë, pa përjashtim, politikanë që tani bërtasin, opinionistë që tani qëllojnë etj, etj., kur u rriskua kjo krizë në korrikun e vitit që shkoi ishin Rock të vendosur që këtu duhej ndryshim! Kjo është bërë.
Por tani thuhet që Presidenti bëhet rob i një mazhorance të thjeshtë, madje do të kemi president politik. Thonë edhe partiak, pavarësisht se ky term nuk pranohet nga Kushtetuta.
Mund të jetë edhe kështu! Po Presidenti, pas tre palë zgjedhjesh, i zgjedhur me shumicë të thjeshtë, siç e ka Kushtetuta e votuar nga populli i majtë në '98- ën, a nuk do të ishte politik?! Madje a nuk do të ishte rob i një mazhorance të thjeshtë?! Madje edhe partiak?! S'të jep njeri përgjigje! Po Presidenti konkret i zgjedhur me 3/5 përmes një procesi kushtetues, por turpësisht të blerë, a nuk ishte politik?! Madje partiak?! Madje, jo rob i një mazhorance të thjeshtë të plotë, por i një grupi, fraksioni kulinar brenda kësaj mazhorance?! Po Presidenti i zgjedhur nga populli pas një gare mes dy kandidatëve të dy partive kryesore, a nuk do të ishte edhe më i fortë politik?! Madje më i fortë partiak?! Përsëri s'të kthen njeri përgjigje!
Megjithatë, të gjithë kritikët vazhdojnë të thonë se është dobësuar shumë roli i Presidentit. Po në ç'mënyrë? Kompetencat e tij nuk janë cenuar! Madje në Kushtetutë, përmes ndryshimeve të reja kushtetuese nuk është shtuar asnjë germë që t'i heqë të drejtën Presidentit që të lërë teserën e partisë politike në momentin që zgjidhet. Më shumë, nuk është shtuar asnjë germë që t'i thotë Presidentit, mos i zbato kompetencat kushtetuese. Janë kompetencat, së bashku me mënyrën e shkarkimit, ato që i japin integritet, fuqi dhe pavarësi Presidentit. Gjithnjë nëse ai do t'i zbatojë.
Megjithatë kritikët vazhdojnë: me mënyrën se si u vendos të zgjidhet Presidenti, vihen në rrezik të gjitha institucionet kushtetuese! Në Kushtetutë qëndrojnë edhe pas ndryshimeve një grup nenesh që përcaktojnë mënyrën se si zgjidhen dhe shkarkohen anëtarët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese të pavarura në këtë vend. Ato nuk u cenuan!
Formula për to është e njëjtë: emëron Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, Për KLD-në, për Prokurorin e Përgjithshëm, për KLSH-në, gjithnjë është kështu. Me rezervën që në rastin e KLD-së, shumica nuk krijohet as nga Presidenti, as nga mazhoranca, por nga 9 gjyqtarë që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore.
Është verifikuar tashmë se pëlqimi i Kuvendit ka qëlluar të jetë vendimtar. Pra, edhe nëse Presidenti ka qenë i pavarur, me integritet, stoik në zbatimin e Kushtetutës, përsëri mazhoranca e krijuar në Parlament përmes normës kushtetuese të dhënies së pëlqimit, e ka frenuar atë. Rasti i Presidentit Moisiu dhe i emërimeve të tij në Gjykatën e Lartë, bllokuar nga mazhoranca në Kuvend, besoj që mjafton për të thënë se garanti më i mirë i pavarësisë së këtyre institucioneve është zbatimi i ligjit dhe natyrisht moscenimi i formulës së rotacionit të tyre.
Së fundi, të vijmë tek çështja e mocionit të besimit dhe mosbesimit. Ja vlen të thuhet se ndryshimet kushtetuese në këto dy nene janë në linjë logjike me ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional. Njerëzit pas këtij ndryshimi ftohen të votojnë për një program, një ekip dhe një kryeministër. Natyrisht që Kushtetuta nuk thotë kund që ky kryeministër duhet të jetë filani, me emër e mbiemër, apo filani, kryetar i partisë që fiton zgjedhjet. Nominimi i kryeministrit është çështje e vetë partisë. Natyrisht dhe përfundimisht i asaj që fiton zgjedhjet. Por është krejt normale, madje morale që partia t'u tregojë zgjedhësve kandidatin për kryeministër të saj. Njerëzit në fund të fundit, do të votojnë për të. Nisur nga kjo është e provuar, kudo në Evropë, përveç rastit që nuk e rekomandon më kurrkush si model, atij të Italisë, që, nëse ky kryeministër për të cilin voton populli nuk ka më votat në Parlament, vendi të shkojë në zgjedhje.
Megjithatë ndryshimet e fundit kushtetuese, garantojnë dhe rastin tjetër, atë të mocionit të mosbesimit. Madje i japin prioritet duke e bllokuar kryeministrin që në një moment të tillë të kërkojë mocion besimi. Dhe është e natyrshme që mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit në detyrë të votohet bashkë me emrin e kryeministrit të ri. Në rast se çdo lloj shumice, edhe ajo fluide arrin të bëjë vota për të rrëzuar kryeministrin, natyrisht që e ka të mundur të bëjë vota edhe të votojë kryeministrin e ri! Këtu, nuk ka asnjë cenim, gjithçka është normale. Megjithatë duhet thënë se kritikat e analistëve për këtë çështje mund të legjitimohen. Ato të tjerat, të disa politikanëve të opozitës, madje të disa prej tyre që e vendosin që tani opozitën në pushtetin e nesërm, është e vështirë t'i kuptosh. Ata thonë: ne do të jemi në qeverisje, pas zgjedhjeve! Ndryshimet kushtetuese i japin qëndrueshmëri qeverisë së tyre. Atëherë pse janë kundër?!
Dyshimi më i rëndë në këtë rast bie tek cirku i famshëm socialist që u verifikua në tetë vite. Ai ishte një prej shkaqeve të rëndësishme pse njerëzit votuan kundër tyre në 3 korrik 2005. Është ajo historia e famshme e shantazhit me nam socialist, ku Fatos Nano nuk i votonte Ilir Metës në Parlament 3 ministra edhe pse forumet e partisë kishin vendosur për ta. Dhe faqja tjetër, Ilir Meta linte Fatos Nanon të qeveriste me zëvendësministra, sepse kryeministri nuk kishte votat e Ilir Metës për të votuar ministrat e rinj edhe pse forumet e partisë kishin vendosur për ta.
Rasti i Berishës, i verifikuar tani, është edhe më fatkeq. Ai është përkthyer në drama të rënda për shqiptarët ndaj të cilave ai është i pavendosur të reflektojë qoftë edhe me zgjedhje parakohe.
Besoj që kaq, me modesti mjafton! Për t'i dhënë pak dritë lëvizjes për "Puç"- in. Dhe besoj se nuk është si drita e KESH-it që vjen gjithmonë nën 220 W. Transparenca duhet të marrë epërsi mbi të bërtiturat. Bota e hapur mbi bunkerin. Mbi të gjitha debati i lirë mbi teoritë konspirative me të cilat mund të bësh libra tërheqës nëse e merr lapsin të shkruash. Por politikë moderne jo!