Qeveri dhe qeverisje..
Për fat të keq, një pjesë prej nesh është mësuar me raportet e vjetra të qeverisjes me opozitën, qëndrimet mekanikisht intrasigjente dhe relacionet konfliktuale. Brenda apo jashtë PS, ka sulme ndaj frymës së re, sulme të cilat nisen nga mentaliteti dhe tipologjia e vjetër e "opozitarizmit psikiatrik", nervoz, konfliktual. Por duhet të mbajmë parasysh se Qeveria nuk është e barabartë me qeverisjen. E parë si koncept dhe praktikë politike është shumë më e ngushtë se e dyta.
Ideja këmbëngulëse për një "politikë të re", për "politikë ndryshe", janë baza për të ndërtuar një opozitë cilësore. Në politologjinë moderne ka shumë përkufizime për opozitën dhe shumë mënyra se si mund të realizohet ajo. Historia e politikës demokratike botërore, por dhe historia politike e demokracisë sonë të re në dy dekadat e fundit, mundësojnë që të bëjmë dallimin midis dy mënyrave të të bërit opozitë. Opozitarizmi në Shqipëri është kuptuar në mënyrë të njëanshme, vetëm me natyrë militanteske, me frymë konstante të intrasigjencës mohuese, me veprime shpesh populiste. Kundërshtimi non stop i qeverisë, përpjekjet e pandërprera për ta penguar atë, deri në tentativa anarkiste për ta rrëzuar, pa e mbështetur dhe ndihmuar në mënyrë konstruktive në asnjë rast, ka qenë fryma e opozitarizmit të vjetër. Nëse doni fakte, rikthehuni për pak çaste mendërisht dhe kujtoni rolin e opozitave në vitin 1997, apo 1998. Në politologjinë moderne kur flitet për rolin e opozitës, bëhen dallime midis opozitës cilësore, konstruktive, bashkëpunuese, por dhe kundërshtuese nga njëra anë dhe nga ana tjetër teoria dhe praktika e opozitarizmit ka klasifikuar opozitën destruktive, "psikiatrike", mekanikisht intrasigjente etj.
Këto dy tipologji të opozitarizmit i kemi provuar në kurrizin tonë. Jo vetëm në politikë, por në çdo fushë koncepti modern që sintetizon praktikën e të bërit të opozitës, është konceptimi i saj si një faktor i detyruar, që të ndikojë në ndryshimin cilësor të politikës, të realiteteve të tjera ku ajo aplikohet.
Personalisht më duket se një pjesë e politikanëve jo vetëm nuk kanë kuptuar kohën e re, por kanë mbetur pas saj. Opozitarizmi nuk mund të bëhet me politikë dhe politikanë eksentrikë, destruktivë, që antikonformizmin e tyre e shtrijnë deri në marrëzi. Tani vendi ka nevojë për opozitë dhe opozitarizëm modern…