Kryeministri: Të hiqen licencat për hotelet e parregullta
Do të përcaktohen kritere të reja për licencat. Kryeministri Berisha ka konfirmuar në mbledhjen e qeverisë se do të hiqen të gjitha licencat e tipit për hotelet dhe motelet, apo të llojit të ngjashëm me këto aktivitete. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se liberalizimi i shërbimeve dhe heqja e licencave është prioritet i qeverisë, duke kërkuar nga ministritë heqjen e licencave për të gjitha rastet e mundshme. "Ne do të krijojmë klimën më miqësore dhe standardet më liberale. Në shumë aspekte ne jemi shumë mirë. Paketa jonë fiskale është më e shkëlqyera, natyrisht ndonjë taksë me konotacion të dyfishtë duhet të arkivohet. Ne do të heqim licencat në të gjitha rastet e mundshme. Ministritë tona ende merren me licenca hotelesh e vendosje yjesh për to etj. Por të gjitha këto bien. Licencat do të pësojnë dy fate: më i shkëlqyeri është heqja e tyre dhe së dyti, futja në ‘One stop shop‘ dhe ‘on line‘", u shpreh Kryeministri. "Tregu, tregu dhe vetëm tregu, vijoi Kryeministri, duhet të dominojë. Është ai që krijon cilësinë, ul çmimin dhe mundëson shërbimin më të mirë". Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Drejtësisë privatizimin e shërbimit të përmbarimit dhe liberalizimin e profesioneve të lira, ndërsa nga Ministria e Transportit heqjen e të gjitha licencave për linjat e transportit. Në përfundim, Berisha kërkoi nga ministri Bode që taksa e të ardhurave të paguhet në mënyrë elektronike.