T'i bësh naftën... naftës
Kur kanë mbetur edhe 19 ditë nga mbyllja e afatit zyrtar të pranimit të ofertave për privatizimin e kompanisë shtetërore shqiptare të naftës, ARMO, segmente të qeverisë shqiptare po mundohen të maskojnë sa më bukur, skenarin e parapërgatitur për t'i pagëzuar pronarët e ardhshëm të shumicës së aksioneve. Ka patur shumë lëvizje zyrtare biznesesh, interesimesh dhe premtimesh, dhe kjo është pasqyrë e implikimit të mirë të shumë firmave të huaja për të shtënë në dorë arin e zi të Shqipërisë, i cili, sipas një vlerësimi të pavarur i ngjan një ajsbergu, me një rrjet dhe infrastrukturë në sipërfaqe gati gjysmëshekullor, por që fsheh nën tokë pasuri që vlerësohen në miliarda dollarë. Deri më sot disa firma private kanë ardhur vetë në Tiranë për të treguar interesimin e pjesëmarrjes në garë. Kanë ardhur me këtë qëllim, në një axhendë të pashkruar edhe kryeministra të vendeve të ish-bllokut komunist, duke kërkuar që të bëhen "shkues" të një krushqie ndërqeveritare, me bazë lëndën e parë më të dëshiruar të momentit: naftën. Kanë ardhur edhe firma me emër të madh në SHBA, të cilat, me mbështetjen e ambasadës amerikane në Tiranë, synojnë të futen në një vend, ku privatizimet e mëdha dhe strategjike fitohen vetëm nga lojëra të dorës së fundit.
Kronika e këtyre takimeve është për t'u patur zili, sepse qeveria është treguar transparente dhe e paanshme në qëndrimet që ka mbajtur. Por ashtu si nga e thëna në të bërë, i ndan një lum i tërë, ashtu edhe privatizimi strategjik i radhës, ka gjasa që të shkojë atje ku vërshon lumi i parave për ata që bëjnë privatizimet: qeveritarët.
Privatizimi i kompanisë së naftës ARMO, apo i asaj të sigurimeve INSIG, kanë qëlluar në vitin e fundit të mandatit qeverisës të kabinetit Berisha. Ky ekzekutiv ende nuk ka arritur të nisë dhe të mbyllë ndonjë proces privatizimi dhe ajo çka u bë deri në këto tre vite ishte vetëm mbyllja e kontratave problematike që kish lënë qeveria e shkuar e drejtuar nga Fatos Nano, siç ishte rasti i privatizimit të kompanisë së telefonisë fikse "Albtelekom" apo i koncesioneve të tipit "Petrolifera".
Por si në rastin e qeverisjeve të shkuara, privatizimet janë mundësia e artë për të mbushur xhepat me paratë që duhet të shkojnë në favor të buxhetit të shtetit për investime në sektorët kritikë të vendit, siç janë arsimi, shëndetësia apo punësimi.
Historia ka treguar se biznesi i ndershëm që kërkon të hyjë në Shqipëri sipas dispozitave ligjore dhe të operojë sipas normave të ekonomisë së tregut, "nuk ka pasur fat". "Fati" ka qenë me batakçinjtë që kanë dhënë llokmat e majme për qeveritarët, një vlerë të ulët për objektet e privatizuara dhe më pas kanë vijuar me abuzimet në ekonomi dhe me konsumatorin shqiptar.
Qeveria aktuale është treguar agresive për të sjellë në Shqipëri gjigantët energjetikë rusë, si bie fjala Gazprom dhe rusët janë shumë optimistë se do të kenë sukses edhe në këtë "ishull" ku energjetika ruse ende nuk ka hyrë, ashtu siç e tregoi edhe prononcimi i ambasadorit të federatës Ruse në Tiranë, një javë më parë në "Shekulli". Sinjalet ishin dhënë këtu e tre vite më parë, kur ndërsa pritej rigjallërimi i projektit amerikan Burgas-Vlorë, ministri i Energjetikës ftonte në Shqipëri gjigantët rusë të energjisë. Prej asaj kohe rusët e kanë shtrirë ekspansionin në shumë prej vendeve të ish-Lindjes komuniste, duke blerë shtrenjtë kompani energjetike dhe po vënë në jetë projektet shumëliardëshe, që do të çojnë përmes Ballkanit, naftë dhe gaz për Europën e privuar dhe të dëshiruar për këto lëndë.
Këto kompani janë më në pararojë të garës për të blerë kompaninë shqiptare të naftës, duke patur si armë në dorë blerjen e qeveritarëve shqiptarë, të cilët kanë treguar se hapjen e zarfeve të tenderëve i kthejnë edhe në estradë dhe pa pikë turpi, apo frike për ndëshkim nga ligji të shpallin fitues kompani që nuk përmbushin as kushtet minimale të pjesëmarrjes në garë.
Rasti më i freskët është ai i dy muajve më parë, kur Qeveria shqiptare, me anë të Ministrisë së Brendshme mbylli garën për bërjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike. Shkeljet flagrante të procedurave të tenderit, skualifikimi nga gara i gjigantëve amerikanë të IT-së si dhe kualifikimi i një kompanie me të shkuar të dyshimtë, ishte pasqyra e asaj se si bëhen tenderët në Shqipëri. Amerikanët mbetën të zhgënjyer nga ky rast dhe paralajmëruan se procesi i ID-ve dhe pasaportave biometrike është i kompromentuar, me pasoja që priten të duken në të ardhmen, kur të merret vesh se në duart e kujt kanë rënë të dhënat personale të shtetasve shqiptarë. Ndërsa në rastin e privatizimit të paravendosur të ARMO-s, është pak të thuash zhgënjim, apo dekurajim të biznesit të përtej Antlantikut që synon të futet në Shqipërisë. Do të thotë t'u bësh naftën amerikanëve.