Pavarësia, ministri i Jashtëm: “Po punojmë me shtetet e lëkundura”
Autori i Lajmit: Red.Tirana zyrtare konfirmon se ajo do të jetë një nga vendet e para që do të njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, duke vlerësuar qëndrimin e Ekipit të Unitetit në Vjenë, nuk tha kohën e saktë kur do të ndodhë ky akt, por nuk mohoi asgjë kur u pyet rreth hipotezës se SHBA mund ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës janarin e ardhshëm. “Shqipëria e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e saj, në qoftë se në fund të kësaj periudhe që përfundon, më 10 dhjetor, nuk kemi një marrëveshje, nuk kemi një rezolutë, atëherë opsioni i vetëm mbetet opsioni i njohur tashmë i veprimeve në kuadër të Paketës Ahtisari, duke përfshirë të gjitha ato që kjo paketë parashikon, përfshirë këtu edhe pavarësinë”, - u shpreh Basha. Kreu i Ministrisë së Jashtme pohoi gjithashtu se Tirana zyrtare po bën përpjekje aktive që opsioni i pavarësisë së njëanshme të pranohet edhe nga vendet ende të lëkundura, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. "Shqipëria po luan rolin e saj aktiv dhe vendimtar në kuadrin rajonal, por dhe shumë të rëndësishëm në kuadrin multilateral që të gjitha palët, të jenë të përgatitura për çfarëdo skenari, kur këto negociata të kenë përfunduar", - u shpreh Basha.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007