E Hënë, 2 Nëntor 2026

LIPI: MOREM ATE QE DESHEM

06/06/2005  Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, ka mbetur mjaft i kënaqur nga barazimi i marë në Oslo ndaj Norvegjisë, që i lejon Italisë të mbajë avantazhin prej 4 pikësh mbi Norvegjinë dhe Sllovenië. “Është një barazim i mirë dhe jam i kënaqur. Kemi ruajtur avantazhin me ndjekëset, ndaj ky barazim është nga ata që vlejnë më shumë se një fitore”, ka deklaruar Lipi, i cili gjithsesi përpiqet të ndalojë euforinë: “Nuk ndihem akoma në Botëror. Këtë nuk mund ta them, sepse ka akoma edhe 4 ndeshje për t’u luajtur dhe asnjëherë nuk i dihet”. Më pas, trajneri i Kombëtares italiane ka shpjeguar edhe ndeshjen ndaj Norvegjisë: “E kisha shumë frikë këtë ndeshje, sepse nëse na mundnin, norvegjezët do të ishin një pikë poshtë nesh, por për fat edhe rezultatet e tjera na kanë ndihmuar. Nuk kam mbetur i habitur me ecurinë e kësaj ndeshjeje, më duket një kompliment kur na cilësojnë skuadër punëtore. Kërkuam të luajmë dhe të qarkullojmë top, ndoshta u penguam edhe nga terreni i rënduar dhe ndonjëherë gabuam, por lojtarët dhanë maksimumin”. E vetmja notë negative e mbrëmjes ka qenë dëmtimi i Vierit dhe Materacit, që rrezikojnë të mungojnë në finalen e Kupës së Italisë me Interin. “Kanë disa ndrydhje, por duhet të presim për të vlerësuar gjendjen e tyre”, thotë Lipi, por vetë Materaci nuk duket optimist: “Nuk besoj se do të jem në Kupën e Italisë”. Pavarësisht nga ndeshja jo spektakolare, Marçelo Lipi mbron grupin e lojtarëve që drejton: “Gjithsecili e sheh futbollin në mënyrën e tij. Unë pashë më shumë raste për Italinë, nuk prisja më shumë se kaq dhe më pëlqeu shumë shpirti i skuadrës që pashë. Nuk ishte e lehtë të luaje ashtu në përfundim të një kampionati të gjatë dhe stresues. Të gjithë treguan shumë dëshirë dhe entuziazëm dhe pas një viti që jam në drejtim, mund të them se procesi i ndërtimit të skuadrës është vetëm në gjysmën e rrugës, sepse nuk jemi kualifikuar akoma, nuk janë përshtatur akoma plotësisht disa lojtarë të rinj, por ka shumë entuziazëm. Për mua, bilanci është shumë i mirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›