E Hënë, 2 Nëntor 2026

INTER E MILAN, FRIKE NGA ABRAMOVIÇ

06/06/2005  Miliarderi rus do të udhëtojë drejt Milanos për të joshur Adrianon e Kakanë, për të kaluar te Çelsi

Në Milano mbizotëron një farë ankthi, pasi të mërkurën do të jetë vizita e paralajmëruar e Roman Abramoviçit, i cili do të përpiqet të bindë Interin e Milanin të lëshojnë disa nga lojtarët e tyre më të rëndësishëm. Pronari i Çelsit, që vitin e ardhshëm do të përpiqet të fitojë Ligën e Kampioneve, do të ofrojë 90 milionë euro për Adrianon dhe 70 milionë për Kakanë. Në pamje të parë, duken dy pazare të pamundura, duke qenë se dy skuadrat milaneze nuk kanë ndërmend të shesin yjet e tyre, por asnjëherë nuk i dihet kur në lojë është miliarderi rus. Në fakt, Abramoviç do të jetë zyrtarisht në Milano vetëm për të biseduar në lidhje me të ardhmen e Veronit e Krespos, të cilët aktualisht luajnë në formë huazimi te Milani e Interi dhe nuk e dinë akoma se ku do të luajnë vitin e ardhshëm. Megjithatë, vështirë se Abramoviç do të udhëtojë personalisht drejt Milanos për t’u marrë me dy çështje kaq të parëndësishme, duke qenë se pothuajse është gjetur marrëveshja për zgjatjen e periudhës së huazimit për dy lojtarët në fjalë. Përveç kësaj, kalimi i Kakaber Kaladzes në radhët e Çelsit duket se ka zgjidhur çdo problem me Milanin, ndaj Abramoviç me shumë mundësi do të përpiqet të bëjë kolpon e vitit: Adriano, Kaka dhe për të disatën herë, Shevçenko. Çelsi ka një buxhet prej 160 milionë eurosh për merkaton e sezonit të ardhshëm, kur do të ndërtohet një skuadër që duhet të dominojë jo vetëm në Angli, por edhe në fushën ndërkombëtare. Megjithatë, me shumë mundësi do të jetë një sulm i kotë, sepse dy skuadrat milaneze nuk kanë asnjë qëllim të lëshojnë lojtarët e tyre më me peshë dhe kjo për disa arsye. Së pari, Berluskoni e Morati kanë treguar me fakte se nuk mendojnë për anën finaciare dhe nuk përfillin asnjë ofertë, sado e madhe qoftë ajo. Së dyti, të dy këta presidentë kërkojnë të fitojnë trofe dhe shitja e lojtarëve që kërkon Çelsi do të ishte fatale. Së treti, shitja e yjeve të Milanit e Interit do të ngjallte edhe pakënaqësi midis tifozëve, që nuk do ta pranonin në asnjë mënyrë largimin e tyre. Megjithatë, ditën e djeshme, vetë Masimo Morati ka deklaruar: “Adriano kushton 90 milionë euro”. Fjalë që duan të refuzojnë ofertat e Realit, apo të ftojnë Abramoviçin të zbrazë xhepat?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›