E Shtunë, 31 Tetor 2026

DURRES/ Nuk e lënë të luajë futboll, var veten 11-vjeçari

DURRES - Grindet me prindërit, vetëvaret 11-vjeçari. Fatkeqësia e radhës është shënuar në familjen Sade, në lagjen "Stallë" të qytezës së Sukthit në Durrës. 

Rreth orës 18:45 të mbrëmjes së djeshme, djali i shtëpisë, E.Sade është gjetur në grahmat e fundit të jetës, pasi kishte lidhur litarin në hekurat e dritares së fundit, në pjesën e jashtme të shtëpisë. Me shpejtësi ai është marrë nga të afërmit e tij, duke u transportuar me urgjencë për në spitalin e qytetit të Durrësit. Për fat të keq, i mituri ka ndërruar jetë gjatë rrugës, pa pasur asnjë mundësi shpëtimi nga mjekët e urgjencës. Policia e Shijakut dhe ajo e Durrësit, sapo kanë mësuar ngjarjen nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve që e shtynë 11-vjeçarin drejt aktit ekstrem, të dhënies fund të jetës. Në pyetje janë marrë familjarët e tij, e konkretisht e ëma, e cila ka rrëfyer për hetuesit se djalit i kishin refuzuar që të dilte të luante futboll me shokët. Sipas saj, ky ka qenë debati i vetëm në familje, duke mos hedhur dyshimet mbi motive të tjera. Familja Sade ishte vendosur në këtë lagje rreth 7 vite më parë pas transferimit nga Dibra. Plot 6 muaj më parë, një tjetër moshatar i viktimës së djeshme, po me origjinë nga Dibra i dha fund jetës duke u vetëvarur me rripin e pantallonave. Z.Prifti jetonte po në lagjen "Stallë" të Sukthit, ku u vetëvar në kushtet e depresionit, pas vdekjes së vëllait prej sëmundjes.                                                                o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›