E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama “mbron” Sollakun në Kuvend

Kryeprokurorja Ina Rama “mbron” paraardhësin e saj në argumentet e punës së Prokurorisë, të cilat u përdorën si shkaqe për shkarkimin e Sollakut nga detyra. 

Trazhgim Sokolaj

Titullarja e institucionit të akuzës raportoi dje për dy orë në Komisionin parlamentar të Ligjeve lidhur me gjendjen e kriminalitetit në vend gjatë vitit 2007 dhe muajve të parë të vitit 2008. Në raportin e paraqitur në Komision nga Ina Rama thuhet se gjatë vitit 2007 puna e Prokurorisë shënoi rritje në kuptimin cilësor dhe sasior të dosjeve të hetuara. Në mënyrë indirekte me shifra dhe me analiza, shefja e organit qendror të akuzës ka mbrojtur Sollakun edhe në përgjigjet, që ka dhënë pas pyetjeve, që drejtuan deputetët anëtarë të Komisionit pas leximit të raportit nga Kryeprokurorja Ina Rama. Deputeti Aldo Bumçi, anëtar i Komisionit të Ligjeve, e pyeti Kryeprokuroren duke kërkuar të mësonte çfarë po bënte Prokuroria lidhur me personat e kërkuar nga drejtësia italiane. Ish-prokurori i Përgjithshëm Sollaku është akuzuar se nuk ka punuar për arrestimin e këtyre personave që besohet se qëndrojnë në Shqipëri edhe pse kërkohen në Itali. Kjo ka qenë një nga çështjet objekt i punës së Komisionit Hetimor parlamentar që u ngrit për shkarkimin e Sollakut. Në përgjigjen e dhënë nga Kryeprokurorja Ina Rama për pyetjen e deputetit Bumçi, nuk është mësuar ndonjë ndryshim i qëndrimit të Prokurorisë rreth këtij fenomeni, edhe pse nga Italia vazhdojnë të vijnë kërkesa arresti. “Aktualisht jemi në pritje të ratifikimit të marrëveshjes nga pala italiane për ekstradimin e këtyre personave në Itali për shkak se Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon një gjë të tillë”, tha prokurorja e Përgjithshme gjatë raportimit në Komisionin parlamentar. Ajo u pyet më pas nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Drejtësisë, i cili u interesua nëse Prokuroria ka rimarrë në shqyrtim ndonjë dosje penale, e cila ka vendim të formës së prerë. Edhe kjo ka qenë një nga akuzat, që u janë bërë Sollakut nga Komisioni parlamentar që i ngrit për hetimin e tij. Ina Rama u shpreh se, Prokuroria nuk lejohet nga ligji të rihapë me iniciativën e saj dhe pa prova e fakte të reja, dosjet penale që kanë përfunduar me vendime të formës së prerë. Argumenti i tretë që një vit më parë ishte në qendër të akuzave të Komisionit Hetimor parlamentar të ngritur kundër Sollakut, i cili është prekur dje gjatë raportimit të pasardhëses së tij, në Komisionin e Ligjeve, ishte lirimi nga burgjet personave të dënuar në bazë të vendimeve mjeko-ligjore të falsifikuara që i deklaronin të burgosurit si të sëmurë vazhdimi i dënimit për të cilët ishte me rrezik për jetën. Deputeti Xhafaj e pyeti Ina Ramën rreth këtij fakti, ndërsa Kryeprokurorja u përgjigj se organi i akuzës ka një dosje të hapur në hetim për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë shqyrtuar këto çështje. “Deri tani, nuk na rezulton që gjykatat të kenë dhënë vendime të padrejta”, është shprehur Ina Rama, duke mbrojtur në këtë mënyrë indirekt ish-kryeprokurorin Sollaku si dhe duke rrëzuar një nga akuzat që Ministria e Drejtësisë përdori atëherë për shkarkimin e tij nga detyra. Gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurorja Ina Rama u shpreh se buxheti vjetor i caktuar për Prokurorinë e Përgjithshme është i pamjaftueshëm. “Ka dosje penale, hetimi i të cilave kushton. Vetëm për rastin e Gërdecit është dashur të angazhojmë gjashtë prokurorë”, është shprehur prokurorja e Përgjithshme gjatë raportimit të saj para deputetëve për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2007 dhe muajve të parë të vitit 2008.

Raporti i Prokurorisë

19.649 procedime
penale janë ndjekur nga Prokuroria në të gjithë vendin gjatë vitit të kaluar 2007

11 për qind
është rritja e numrit të dosjeve të hetuara gjatë vitit 2007 krahasuar me vitin paraardhës 2006. Kjo është shifra e rritjes së kriminalitetit

4936 dosje
penale janë pushuar nga Prokuroria gjatë vitit 2007 për shkaqe të ndryshme, mungesë provash ose mosnjohje e autorit të krimit
 
9 për qind
është rritur gjatë vitit 2007 krahasuar me vitin 2006 numri i dosjeve penale për të cilat janë pushuar hetimet

9 burgime
të përjetshme ka urdhëruar Prokuroria për ekzekutim gjatë vitit të kaluar 2007

1539 vendime
arresti për persona të ndryshëm janë konsideruar të mbetura pa ekzekutim dhe të nevojshme për t’u zbatuar gjatë vitit 2007
 
49 për qind
e të gjithë krimeve të ndodhura në vend gjatë vitit 2007 janë krime kundër pronës, si vjedhjet dhe grabitjet

22 grupe
kriminale janë në hetim nga Prokuroria që në fund të vitit 2007. Këto grupe kanë gjithsej, sipas hetimeve, 69 anëtarë që janë marrë të pandehur

57 dosje
penale me 50 persona të pandehur, janë hapur dhe janë hetuar gjatë vitit 2007 nga Prokuroria për akuzën e korrupsionit  

Ina Rama: Në 2007 Prokuroria pati progres në ushtrimin e përgjegjësive

TIRANE - “Nisur nga analiza e treguesve të punës në të gjitha nivelet e Prokurorisë, themi se viti 2007 evidenton progres në rritje të organit të akuzës në ushtrimin e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese”, kështu thuhet në rreshtat e parë të raportit të paraqitur nga Ina Rama në Komisionin parlamentar. Ajo pranon këta tregues, duke pohuar se me të vërtetë Prokuroria është udhëhequr nga Sollaku në pjesën dërrmuese të vitit 2007. Për këtë shkak Ina Rama ka përfshirë në raportin e saj edhe të dhënat e punës së Prokurorisë për muajt e parë të vitit 2008, pasi ajo ka marrë drejtimin e organit të akuzës. “Gjatë vitit 2007 janë ndjekur penalisht 31 grupe kriminale me 101 të pandehur”, thuhet në raportin e Ina Ramës i dorëzuar kohë më parë në Kuvend dhe i paraqitur dje para komisionit përkatës. Në këtë raport thuhet se në bashkëpunim të ngushtë me policinë u rihapën mbi 150 dosje penale të pazbardhura më parë, që kryesisht bënin fjalë për ngjarje të vitit 1997. Hetimet e përbashkëta të policisë dhe Prokurorisë identifikuan autorët e këtyre veprave penale dhe i dërguan ata para organeve të drejtësisë”, thuhet në raport.                                t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›