E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, 40 vjet burg prindërve që vranë vajzën

SHKODER - Prokuroria e Shkodrës kërkoi dje 40 vjet burg për bashkëshortët Brahim e Nurije Facaj, të cilët 12 vjet më parë masakruan vajzën e tyre e më pas e mbajtën të fshehur krimin për më shumë se 1 dekadë. 

 Në leximin e pretencës para trupit gjykues, prokuroria kërkoi 25 vjet burg për Brahim Facajn, e 15 të tjera për bashkëshorten e tij, Nurijen. Facaj e ka pritur i qetë kërkesën e akuzës, e madje e ka cilësuar si të drejtë këtë masë të kërkuar dënimi. Por nga ana tjetër, burri ka kërkuar që e shoqja të dënohet më pak nga sa kërkoi prokuroria. Ai e ka argumentuar këtë me faktin se e shoqja, Nurija nuk kishte qenë pjesëmarrëse në krimin e vrasjes. Por se ajo e kishte ndihmuar vetëm për të varrosur trupin e vajzës së tyre, e më pas e kanë mbajtur së bashku të fshehtë këtë krim. Brahim Facaj, akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese dhe fshehje të krimit”, ndërsa Nurije Facaj akuzohet për “bashkëpunim në krim dhe fshehje të krimit”. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1996, ku sipas prokurorisë, vajza e të pandehurve, Afërdita Facaj, vetëm 19 vjeçe, është masakruar nga prindërit e saj e më pas ata e kanë varrosur pak metra larg shtëpisë së tyre, në fshatin Drisht të Shkodrës. Bashkëshortët Facaj u arrestuan në muajin mars të vitit të kaluar. Babai-vrasës e pranoi krimin, duke këmbëngulur se e kishte vrarë të bijën vetëm dhe se bashkëshortes vetëm i kishte kërkuar ndihmë t’i hapnin varrin e të humbitnin gjurmët e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila bëri jo pa bujë në momentin e zbulimit të saj. Facaj pohoi pas arrestimit se të bijën e kishte vrarë për nder. Vajza e tij kishte shkuar për disa kohë jashtë shtetit, pa lejen e prindërve, për t’u kthyer më pas me një fëmijë. Pikërisht për këtë shkak, babai nuk e ka duruar dot turpin në fshat. Pas ekzekutimit të vajzës së tij, ai bashkë me të shoqen kanë bërë denoncim duke e konsideruar 19-vjeçaren të zhdukur.       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›