E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati i djegur, dëmi 500 milionë

Dëmi i shkaktuar nga djegia e një pallati banimi dy ditë më parë në Korçë, ku humbi jetën një person dhe disa të tjerë u plagosën, është plot 50 milionë lekë. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Shifra është nxjerrë pas një verifikimi të bërë dje prej një grupi të ngritur nga Këshilli i Qarkut të Korçës, me specialistë të ndërtimit. Sipas përfundimit të grupit, pallati do të rikonstruktohet dhe ribëhet i banueshëm, pas financimeve të mundësuara nga biznesmenë të qytetit dhe administrata. Banorët që mbetën në qiell të hapur pas dëmtimit të banesave të tyre, e kanë kaluar natën në dhomat e konviktit të shkollës së mesme të agrobiznesit. Pas kontrollit të imtësishëm të kryer dje nga grupi i vlerësimit u konkludua se, përveç çatisë që është djegur plotësisht, muret anësore edhe pse janë plasaritur e çarë vende-vende janë të fortë dhe me riparime të pjesshme mund ta mbajnë pa frikë soletën prej betoni, që është menduar t’i hidhet pallatit. Godina është ndërtuar në vitet ‘60 dhe vërehet se megjithëse është e arkitekturës së vjetër me kubatura të vogla banimi, ka mure relativisht të trashë dhe kati nga kati është ndarë me soleta betoni. Këto dy soleta, të cilat kanë ndaluar zjarrin të depërtojë në dy katet e para, janë dëmtuar pak nga shpërthimi i bombolës me gaz, por nuk përbëjnë shqetësim për fatin e ndërtesës. Dëmet në këto kate i shkaktoi rrjedhja e ujit të zjarrfikëseve nëpër mure. Po dje, prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, është takuar me drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësues të biznesit korçar. Duke paraqitur situatën që u krijua për banorët e pallatit dhe veçanërisht për 6 familjet që jetonin në apartamentet e katit të tretë të tij, kërkoi ndihmë për ta përballuar zhdukjen e pasojave të zjarrit. Biznesmenët u shprehën se do ta ndihmojnë këtë komunitet materialisht dhe financiarisht, ndërsa përfaqësues të biznesit të ndërtimit deklaruan se do të punojnë konkretisht që rikonstruksioni i pallatit të kryhet brenda një kohe rekord. Ata kanë kërkuar përllogaritjen e volumit e punës që duhet të përballojnë. Mësohet se punimet do të mbulohen nga fondet që do të sigurohen nga bizneset korçare, si edhe kontributet e banorëve të qytetit. Bëhet e ditur se pas ngjarjes objekti është ruajtur nga policia, që për arsye sigurie askush të mos hynte në apartamentet e tij. Për banorët e dëmtuar, nga ana e bashkisë dhe drejtorisë arsimore vunë në dispozicion dhjetë dhoma të mëdha të konviktit të shkollës së mesme të agrobiznesit. Dega e Kryqit të Kuq i pajisi ata me kuverta dhe u morën masa edhe për përgatitjen e ushqimit të tyre në mensën e shkollës. Gjithashtu atyre iu dhanë edhe detergjente pastrimi dhe një sasi veshjesh, mbasi banorët kishin dalë me veshje të lehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›