E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri me Maqedoninë, Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen

Ratifikimi me 81 vota pro, tri vota kundër dhe dy abstenime

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin fizik të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Marrëveshja u miratua të premten në mbrëmje nga Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Shkup. Në mungesë votash të mjaftueshme, Kuvendi dështoi ta ratifikonte atë që në votimin e parë. Për këtë u desh që të kërkohej mbajtja e seancës së re të jashtëzakonshme, në të cilën marrëveshja u ratifikua me 81 vota pro, tri vota kundër dhe dy abstenime. Grupet e punës nga Kosova dhe Maqedonia kanë punuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth vijës kufitare. Më nënshkrimin e marrëveshjes, disa dhjetra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin e Maqedonisë, por marrëveshja u lejon banorëve kosovarë që t’i punojnë tokat e tyre. Për futjen në fuqi të marrëveshjes, ajo duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Maqedonisë. Para votimit në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesnin marrëveshjen. “Ky moment i deklarimit tuaj për të përfunduar këtë proces, që është pjesë e barrës dhe e debateve të deritashme, do të përmbyllë një kapitull që nënkupton sqarimin e detajuar të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë”,- u shpreh Sejdiu. Presidenti shprehu bindjen se me ratifikimin e marrëveshjes, fillon një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë. Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, u tha deputetëve se marrëveshja e arritur me Shkupin, rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe, siç u shpreh ai, forcon pozitën e saj lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Kjo marrëveshje është nënshkruar duke pasur parasysh gatishmërinë dhe përkushtimin reciprok për të kontribuuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore, sigurinë, stabilitetin, bashkëpunimin në rajon dhe perspektivën euroatlantike”, tha Thaçi. Duke e cilësuar si marrëveshje të interesit shtetëror, kryeministri Thaçi i ftoi deputetët, që në mënyrë unanime, të ratifikonin marrëveshjen e arritur pas muaj të tërë negociatash mes grupeve të ekspertëve nga të dy vendet. Kreu i ekzekutivit tha se qëllimi i Qeverisë ka qenë përmirësimi i gabimeve që janë bërë si rezultat i marrëveshjes së vitit 2001.
Por, ai sqaroi se Qeveria e Kosovës sërish nuk ka pasur mandat për definimin e vijës kufitare, por vetëm për shënimin e saj fizik. Thaçi u premtoi qytetarëve të Kosovës, prona e të cilëve kalon në shtetin maqedonas, se nuk do të jetë të dëmtuar. Qeveria, sipas tij, do të formojë komision vlerësues qeveritar për të vlerësuar dëmet e shkaktuara banorëve të brezit kufitar, që nuk kanë mundur t’i punojnë tokat e tyre që nga viti 2001, kur qe nënshkruar marrëveshja për demarkacion mes Maqedonisë dhe ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Kuvendi i Maqedonisë diskuton marrëveshjen

Pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës edhe Kuvendi i Maqedonisë diskutoi dje marrëveshjen e demarkacionit të kufirit. Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski tha se mbyllja e çështjes së shënimit të vijës kufitare me Kosovën është moment shumë i rëndësishëm, jo vetëm për thellimin e mëtejshëm të raporteve mes dy shteteve, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. “Ne po mbyllim një çështje të vogël, por shumë të rëndësishme. Konsideroj se, përveç thellimit të raporteve dypalëshe, kjo ka rëndësinë e saj rajonale, e madje edhe europiane, pasi Maqedonia do të jetë një nga shtetet e rralla në Europën Juglindore, e cila do t’i ketë qartë të definuar dhe shënuar kufijtë e saj”,- deklaroi ministri Milloshoski.
Por, ky vendim i Qeverisë, e në veçanti procedurat për miratimin e marrëveshjes, janë kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare.
Ato, madje, shprehën dyshimin se Qeveria dhe partitë në pushtet, kanë hequr dorë nga disa pjesë të territorit të Maqedonisë.

SHBA-të dhe Solana: Marrëveshja është hap historik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë përgëzuar Kosovën dhe Maqedoninë për arritjen e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes dy vendeve. Në një komunikatë për media, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se marrëveshja tregon përkushtimin e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet në rajon, duke përparuar drejt qëllimit të përbashkët, anëtarësimit të plotë në komunitetin e shteteve europiane dhe euroatlantike. Edhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Havier Solana, ka deklaruar se marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është shenjë e pjekurisë, përgjegjësisë dhe respektit reciprok.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›