E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjinushi: PS nuk bën dot pa ne

29/12/2004  Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka deklaruar dje se "Partia Socialiste nuk mund të jetë mazhorancë pa socialdemokratët". Kështu i është përgjigjur socialistëve Gjinushi, duke i sulmuar për deklaratat e trye se "pa aleancën me PS-në socialdemokratët nuk mund të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005". Gjithashtu kreu i PSD-së gjatë konstituimit të kryesisë për zgjedhjen e drejtuesve për këtë qark ka kërkuar që strukturat e PSD-së të punojnë që në zgjedhjet e ardhshme PSD-ja të fitojë 2 për qind më tepër se në zgjedhjet e përgjithshme të 2001. Në këtë takim me socialdemokratët e këtij rrethi janë diskutuar dhe çështjet e ndryshimit në statutin e PSD-së gjatë kongresit të fundit. Ndërkohë që janë shpërndarë dhe disa tesera të kësaj partie, duke pranuar publikisht edhe anëtarët më të rinj këtë fundviti. Gjithashtu është bërë dhe një analizë e punës së strukturave të kësaj partie në degën e Elbasanit. Debatet mes socialdemokratëve dhe socialistëve janë ashpërsuar më shumë pas takimit të zhvilluar në fillim të këtij dhjetori mes kryetarëve të "Koalicionit për Integrim". Fatos Nano në këtë takim ka arritur që të bindë aleatët të votojnë buxhetin e shtetit, ndërsa ka shtyrë ndryshimet në qeveri për në muajin janar. Gjinushi ka qenë i vetmi që ka kundërshtuar këtë vendim, duke bojkotuar seancën e votimit. Ndërsa dhe në pritjen e zhvilluar nga Nano, në vilën 31, ai nuk ka pranuar të marrë pjesë. Duket se me deklaratën e dhënë dje, në Elbasan, Gjinushi do të vendosë përfundimisht për të dalë në zgjedhje pa koalicion me PS-në, duke sjellë një ndarje të re të së majtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›