E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç “refuzon” urdhrin e BE-së, s`heq dorë nga Kosova

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se ka refuzuar urdhrin e Bashkimit Evropian për mosorganizimin e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

“Nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar që si lider i Partisë Socialiste të Serbisë të urdhëroj kryetaren e Parlamentit, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, që të mos i shpallë zgjedhjet serbe në Kosovë”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

“Kjo do nënkuptonte heqjen dorë nga Kosova. Nuk ka kërkesë që do të më detyronte të bëj një gjë të tillë. Zgjedhjet janë nënshkruar. Nëse do të mbahen ose jo, është tjetër. Por, nga Kosova nuk kemi hequr dorë”, ka thënë Daçiç.

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, e cila vjen nga radhët e Partisë Socialiste Serbe, ditë më parë, ka shpallur zgjedhjet lokale në të gjitha komunat dhe qytetet, ku pushtetit lokal i ka kaluar mandati, përfshirë dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›