E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri dhjetra te vrare nga shperthimet

Dhjetra policë dhe civilë  kanë humbur jetën  si pasojë e dy shpërthimeve të regjistruara në kryeqytetin e Sirisë, Damask. Lajmin e ka bërë me dije televizioni publik sirian, i cili i ka cilësuar shpërthimet si atentate terroriste. Të dhënat paraprake sugjerojnë se shpërthimet janë realizuar përmes automjeteve të mbushura me eksploziv. Motivet e atentateve mbeten ende të panjohura, ndërsa opozita bën me dije se janë sulmuar ndërtesat e institucioneve të sigurisë. Shpërthimet vijnë dy ditë pas shënimit të përvjetorit të parë të kryengritjeve popullore kundër presidentit, Bashar al Assad, ku më shumë se 8 mijë persona kanë humbur jetën.
Protesta të reja antiqeveritare u mbajtën të premten në disa qytete të Sirisë dhe u regjistrua një rikthim i dhunës në periferitë e Damaskut, për herë të parë që kur qeveria vendosi kontrollin ushtarak disa javë më parë. Përleshjet mes luftëtarëve rebelë dhe forcave ushtarake të qeverisë janë raportuar edhe në shumë pjesë të tjera të vendit. Presidenti, Bashar al Assad ngul këmbë se trupat e tij po luftojnë “banda të armatosura” që sipas tij synojnë të destabilizojnë Sirinë.  Ditën e premte, i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan përsëriti apelin e tij për dhënien fund të dhunës dhe për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Siri.

  

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›