Daçiq: Pa afat, për zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se i është ankuar ndërmjetësit të BE-së në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës, Rober Cooper, pasi sipas tij, EULEX-i nuk bashkëpunon sa duhet me MPB-në e Serbisë. Daçiq ka theksuar se ndërmjet EULEX-it dhe MPB-së së Serbisë nuk shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim në luftë kundër krimit të organizuar, migrimeve ilegale, formave të ndryshme të kontrabandës, terrorizmit dhe tregtisë me narkotikë, njerëz dhe armë.
“Në takimin me Cooperin, i shpreha atij dëshirën që bashkëpunimi me EULEX-in të jetë më i mirë, si dhe bisedova për nevojën e qetësimit të situatës në veri të Kosovës që u shkaktua me ndërrimin e katër komandantëve, si dhe kërkova që EULEX-i të ruajë pozicionin neutral sa i përket statusit, në qoftë se dëshiron të ketë mbështetjen e komunitetit serb në Kosovë”, theksoi Daçiq. Ai shtoi se MPB-ja nuk ka afat konkret kur duhet të fillojë zbatimi i tre marrëveshjeve të arritura për lirinë e lëvizjes.