Daçiq hyn në Kosovë pa marrë leje

Serbia ka shfrytëzuar vakuumin institucional për të hyrë në Kosovë dhe për të dhënë deklarata ndërsyese për serbët kosovarë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, të formuar nga Slobodan Milosheviçi, ka qëndruar të dielën në Zveçan, ku ka takuar strukturat paralele serbe, krerët e MUP-it serb, që vepron ilegalisht në Kosovë dhe të ashtuquajturit “komandantët e mbrojtjes territoriale serbe në Kosovë”.
Ai ka ftuar këto struktura që “të ngjeshin radhët”.
Daçiçi në Kosovë ka hyrë i papenguar dhe pa njoftuar institucionet e Kosovës. Policia e Kosovës nuk ka ndërhyrë për ta penguar Daçiçin të hyjë në Kosovë, duke u arsyetuar se nuk ka qenë e njoftuar për vizitën. Ardhjen e tij, zyrtarisht, Ivaca Daçiç e ka arsyetuar me ndjekjen e premierës së filmit “Montevideo” në Zveçan.
Qeveria e Kosovës pati deklaruar disa herë gjatë këtij viti se në emër të pavarësisë së shtetit të Kosovës nuk do të lejojë hyrjen e zyrtarëve të Serbisë në territorin e Kosovës, pos me leje nga Prishtina zyrtare. Në disa raste, zyrtarë serbë janë penguar të hyjnë në Kosovë. Mirëpo, në shumë raste të tjera, zotimi i qeveritarëve të Kosovës është shpërfillur, sikur të mos ekzistonte fare qeveria.
Ivica Daçiç në Zveçan është takuar me Gjorgje Dragoviçin, i njohur me nofkën “Gjole”, e që komandanti i përgjithshëm i strukturave të MUP-it serb në Kosovë. Daçiçi është takuar edhe me komandantin e strukturave serbe për Mitrovicë Aleksandar Ivanov, për Leposaviç Sreçko Banoviç dhe ai për Zubin Potok Zhivojin Gjuriç, kanë njoftuarmedia kosovare.
Në takimin me strukturat politike të Serbisë, që janë të instaluar në Kosovë, Daçiç u ka premtuar atyre se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova.
”Ju duhet të mbaheni, se zgjidhjes së këtij problemi po i vjen fundi”, u ka thënë Daçiç serbëve në Zveçan. ”Mos harroni, as lideri i SPS, Slobodan Milosheviçi, kurrë nuk ka hequr dorë nga Kosova e Serbia e as ne nuk do t`i tradhtojmë fjalët e Milosheviçit”, ka thënë Daçiç.