Dade: Basha, azilant në qeveri
Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha dje se opozita dhe opinioni publik kërkojnë zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve në rrugën Durrës-Kukës. Sipas saj, kjo nuk mund të ndodhë, as duke abuzuar me foltoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbrojtje personale, as duke sulmuar opozitën me shpifje e fyerje dhe as duke sfiduar institucionet e drejtësisë, me mosbindje të procedurave ligjore. "Çfarë është ky ministër i paditur për zhdukjen e një shume marramendëse parash, që refuzon të shkojë përpara organeve të drejtësisë?" - shtroi pyetjen Dade. Teksa insistoi të gjente përgjigje edhe për qeverinë që bëhet strehë e një ministri të penduar, që nuk u përgjigjet çështjeve ligjore, ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta dhe ligji, që nuk i njohin atij ndonjë dallim nga shtetasit e tjerë. "Çfarë është ky Kryeministër që vendos për ministrin e vet të pandehur atë çka për të duhet të vendosë drejtësia?" - u shpreh Dade. Politizimi i kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për moralin e shtetit, të qeverisë dhe politikës, shtoi ajo, jo vetëm që nuk ndihmon në zbardhjen e së vërtetës, por përkundrazi ndihmon për mbulimin e së vërtetës. "Kjo nuk i shërben opinionit publik, por u shërben të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë korrupsion galopant të përmasave të frikshme. Të kërkosh zbardhjen e së vërtetës do të thotë t‘u shërbesh interesave të vendit", tha Dade. Teksa nguli këmbë në faktin se ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, padyshim më e madhja dhe më e frikshmja e të gjithë periudhës së tranzicionit. Partia Socialiste, opozita dhe opinioni publik, u shpreh Dade, kanë zgjedhur të mbrojnë interesat e vendit. "Sali Berisha dhe ministri i tij i pandehur, kanë zgjedhur të mbrojnë korrupsionin, duke e shndërruar qeverinë në strehë azilantësh për ata që i ikin drejtësisë. Kjo qeveri është një rrezik publik", nënvizoi Dade. Drejtuesja socialiste shprehu njëkohësisht shqetësim të madh për faktin se politika e jashtme e shtetit shqiptar, në këtë periudhë shumë të rëndësishme të proceseve integruese për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, është në dorën e një ministri të Jashtëm, të marrë si të pandehur për shkak të abuzivizmit me detyrën me shuma të mëdha, në mënyrë të paligjshme. "Kryeministri Sali Berisha duhet ta kishte zëvendësuar këtë ministër prej kohësh, sikurse edhe opozita ka kërkuar, sepse ky ministër nuk mund të na përfaqësojë të gjithëve", u shpreh Dade.