E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Shtyrja e zgjedhjeve, nuk ka asnjë bazë ligjore

Socialistët insistojnë se nuk ka asnjë bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare në vjeshtën e vitit 2009. Në një intervistë për "Shqip", nënsekretari socialist për çështjet ligjore, njëkohësisht ekspert i PS-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, sqaron këto hamendësime. Sipas tij, të vetmet data që mbeten për zgjedhjet e ardhshme, janë 21 dhe 28 qershori 2009.

Zoti Gjiknuri, pak ditë më parë, kreu i shtetit ktheu mbrapsht në Kuvend ligjin e ri zgjedhor. Sa i drejtë dhe i nevojshëm ishte një vendim i tillë?

Së pari, duhet të theksojmë se është e drejtë kushtetuese e Presidentit për të kthyer projektligjet vetëm njëherë të vetme dhe kjo përbën atë që quhet rëndom në jurisprudencën kushtetuese e drejta e vetos pezulluese, pavarësisht nga shkaku. Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes suaj dhe që ka të bëjë me shkakun që çoi në domosdoshmërinë e kthimit, mendoj se nuk ishte tërësisht i justifikueshëm dhe mund të evitohej. Po të lexojmë me kujdes letrën sqaruese të Presidentit për Kuvendin, pretendohet se ka përplasje mes neneve 8 dhe 9 të Kodit dhe si rrjedhim mund të prekej afati kushtetues për zgjedhjet. Për të qenë të saktë, neni 8 flet për periudhën e zgjedhjeve në vend, ndërsa neni 9 për nxjerrjen e dekretit të Presidentit dhe ditët e mundshme brenda periudhave zgjedhore që përcakton Kodi. Pra, nuk ekziston asnjë përplasje ndërmjet këtyre neneve. E vetmja përplasje që mund të ekzistojë është ndërmjet pikës 2 të nenit 9 dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duhet bërë e qartë se nuk ka asnjë shkelje kushtetuese, siç pretendohet nga disa, apo si stafi juridik i Presidencës mund të ketë sugjeruar. Në Kushtetutë nuk ka asnjë afat për nxjerrjen e dekretit nga Presidenti dhe po ashtu nuk parashikohet asnjë periudhë zgjedhore. Në Kushtetutë është sanksionuar qartë se ligji zgjedhor i rregullon të gjitha procedurat për thirrjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve. E vetmja dispozitë që i jep rol Presidentit në lidhje me zgjedhjet është neni 92 i Kushtetutës, ku përcaktohet se ai cakton datën e zgjedhjeve. Si rrjedhim, Kodi Zgjedhor vendosi një afat optimal për nxjerrjen e dekretit prej 9 muajsh nga fundi i mandatit të Kuvendit, i cili mbaron më 2 shtator 2009. Ky afat i gjatë u vu i tillë që të dihej kohë më parë data e zgjedhjeve, pasi shumë aspekte procedurale të Kodit janë të lidhura me datën e zgjedhjeve, duke adresuar kështu një sërë problemesh të hasura më parë në lidhje me afatet dhe përgatitjen e zgjedhjeve. Afati 9- mujor i vendosur në Kod nuk është afat prekluiziv dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike, nëse shkelet për pak ditë. Mbi të gjitha, vetë ligji nuk synon të kufizojë në mënyrë strikte nxjerrjen e dekretit, por orienton një afat optimal për dekretim. Në rastin në fjalë, sikur Presidenti ta dekretonte ligjin disa ditë më parë, p.sh. 28 nëntor, duke bërë që ligji të hynte në fuqi rreth datës 13 dhjetor, do të kishim një tejkalim prej 8 ditësh të afatit 9-mujor, fakt që nuk përbën kurrfarë shkelje apo problem për afatet e zgjedhjeve, siç edhe nuk përbën shkelje kushtetuese çdo vonesë tjetër për nxjerrjen e dekretit nga Presidenti. Për më tepër, diskrecioni i Presidentit është tepër i kufizuar në këtë rast, pasi ligji zgjedhor përcakton vetëm dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, konkretisht datën 21 dhe 28 qershor 2009. Shkelja e afatit ligjor për disa ditë nuk është shkelje kushtetuese dhe në fakt as shkelje e vetë ligjit në fjalë, pasi në momentin e nxjerrjes së dekretit, vetë ligji sapo do të kishte hyrë në fuqi. Interpretimi kushtetues i bërë nga stafi juridik i Presidentit, jo vetëm që është i gabuar, por me interpretimin e zgjeruar që u ka bërë afateve të dekretit që përcaktohen me ligj, institucioni i Presidentit do të vihej në vështirësi politike e juridike në ndonjë situatë tjetër të ngjashme, siç ka ndodhur edhe më parë me nxjerrjen e dekreteve jashtë afateve ligjore.

Partia Socialiste deklaroi se është e gatshme ta korrigjonte këtë saktësim juridik. Përtej asaj çka u deklarua për një dispozitë kalimtare, në terma konkrete si mund të kapërcehet ky ngërç?

Pas kthimit të projektligjit, e vetmja zgjidhje mbetet ose ndryshimi i afatit 9-mujor, ose përfshirja e një dispozite tranzitore për këto zgjedhje, e cila i vendos një afat të shkurtër Presidentit për nxjerrjen e dekretit për këto zgjedhje, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Personalisht jam për variantin e dytë, pasi afati 9-mujor është i mirëmenduar dhe i lidhur me një sërë procesesh e afatesh në Kod, siç janë përgatitja e listave të zgjedhësve, si dhe një sërë afatesh të tjera procedurale që duhet të njihen nga aktorët politikë e institucionalë kohë më parë.

Është folur së fundi për një tentativë të PD-së për të shtyrë zgjedhjet në muajt e vjeshtës së vitit 2009. Sa i pranueshëm është për Partinë Socialiste një variant i tillë?

Të habit fakti se si teoritë e konspiracionit zënë vend aq lehtë në mendjet e atyre që ndjekin politikën. Mbase vetë politika ka dhënë shembullin më të keq në këtë drejtim dhe është vetë fajtore. Për të qenë realist, zgjedhjet kanë afat kushtetues dhe nuk mund të shkelen as nga dëshira e PD-së, as e PS-së, apo kujtdo tjetër. Kjo jo vetëm që nuk ka asnjë mundësi juridike, por edhe nëse do të synohej do të sillte deligjitimin kushtetues të zgjedhjeve dhe do të përbënte një recetë për kaos juridik e social. Jam shumë i sigurt se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë me kornizën kushtetuese në fuqi.

Për t‘u kthyer te përmbajtja e Kodit Zgjedhor, a mund të cilësohet e konsumuar mundësia për të ndërhyrë në nene të tjera, nga ato për të cilat ka shprehur rezerva kreu i shtetit?

Nuk mendoj se ka nevojë për ndërhyrje të tjera dhe Kodi në vetvete është i arrirë për kushtet e vendit tonë dhe sistemin elektoral që përcakton Kushtetuta. Nga njëra anë, fakti që Presidenti është ndodhur në trysni për kthim të ligjit për shkaqe të tjera që ndoshta lidheshin me elemente të tjera të Kodit dhe nga ana tjetër shkaku teknik që shërbeu për rikthim të ligjit, legjitimon plotësisht arritjet e tjera parimore, teknike dhe procedurale që ka ky Kod.

Kur mendoni se duhet të miratohet ndryshimi në Kod dhe a sjell kjo vonesë ndonjë problem me afatet e zgjedhjeve?

Për sa u përket afateve të zgjedhjeve, vonesa nuk sjell asnjë problem, pasi datat e zgjedhjeve të mundshme janë 21 ose 28 qershor. Problemi më ekzigjent që shikoj dhe që pak njerëz mund ta vënë re, për shkak të padijenisë së mjaftueshme teknike të procedurave në këtë Kod, ka të bëjë me kohën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së. Do të ishte e udhës që anëtarët e rinj të KQZ-së të zgjidheshin brenda muajit dhjetor të këtij viti. Kjo gjë kondicionon Kuvendin, që në limitet më të shkurtra kohore, të miratojë Kodin e mandej, mbase në seancën e fundit të Kuvendit për këtë vit, të zgjidheshin edhe anëtarët e rinj. Zgjedhja e tyre është e rëndësishme, pasi në janar ata duhet të kenë filluar punë, duke trajtuar disa nga detyrat më imediate që rrjedhin nga Kodi, siç janë propozimi për ndarjen e mandateve për zonat zgjedhore dhe akte të tjera nënligjore që kanë afate. Nëse nuk zgjidhen në dhjetor, atëherë KQZ-ja do të fillojë punë në fund të janarit, duke rrezikuar seriozisht një sërë afatesh dhe aktesh që duhet të përgatiteshin që në muajin janar. Çdo vonesë në këtë drejtim do të krijojë probleme për arritjen e standardeve që parashikon Kodi.

Si qëndron problemi i pajisjes së zgjedhësve që nuk kanë pasaportë me karta identiteti, siç është parashikuar në Kodin e ri dhe sa e rrezikon kjo çështje procesin e zgjedhjeve, siç keni pohuar edhe ju disa ditë më parë?

Pajisja e zgjedhësve me karta identiteti është një problem serioz dhe tërësisht në përgjegjësinë e qeverisë. Aktualisht prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit vazhdon të mbetet një proces i mbushur me plot mistere dhe aspak transparent. Kanë kaluar mbi 4 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, por akoma nuk dihet qartë dhe me saktësi se kur do të fillojë procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Përtej deklarimit zyrtar, se shpërndarja do të fillojë në janar 2009, asnjë e dhënë konkrete nuk e mbështet këtë hipotezë, pasi akoma në vendin tonë nuk kanë mbërritur pajisjet "enrollment" për mbi 300 pika, apo pajisjet të personalizimit, që janë të domosdoshme për përpunimin e të dhënave dhe prodhimin e kartave. Gjithashtu, vazhdimi i publikimit të kërkesave për personel që do të punojë me këtë proces vetëm 1 muaj përpara fillimit të procesit të shpërndarjes, e bëjnë këtë afat edhe me të dyshimtë. PS-ja është e shqetësuar edhe nga fakti se baza ligjore për bërjen e mundur të shpërndarjes së kartave në mënyrë të detyrueshme, pothuajse nuk ekziston, duke hedhur më shumë dritë mbi falsitetin e deklarimeve zyrtare. Sipas këtij Kodi, qeveria duhet të nxjerrë një vendim për të pajisur me përparësi këtë kategori zgjedhësish që, sipas disa llogaritjeve paraprake, janë rreth 500 mijë. Ne kemi kërkuar publikisht që qeveria të përcaktojë masa inkurajuese, qoftë edhe dhënien e tyre falas për këtë kategori, në mënyrë që zgjedhësit të mund të votojnë. Por buxheti i vitit 2009 që u miratuan me kartonët e shumicës nuk parashikon asnjë fond në lidhje me këtë angazhim. Kjo gjë më bën të dyshoj se edhe ky premtim është demagogjia e radhës, për të mos thënë një përpjekje tinëzare për të sabotuar pajisjen e zgjedhësve me karta identiteti, e si rrjedhim inxhinierimin e rezultatit elektoral me anë të përjashtimit të një grupi zgjedhësish nga procesi i votimit. Nëse një gjë e tillë ndodh, zgjedhjet do të vihen seriozisht në rrezik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›