Kreu i PDS-së, Paskal Milo, distancohet nga Meta, rreshtohet te Rama
Paskal Milo është kryetari i parë ndër partitë e vogla të së majtës që zgjidh dilemën e rreshtimit paraelektoral. Në vitin 2009, Partia Demokracia Sociale do të rreshtohet në një listë me Partinë Socialiste. Në fjalën e tij në kongresin e rinisë së kësaj partie, Milo tha se forumet drejtuese kombëtare të partisë gjatë gjithë këtij viti kanë diskutuar për taktikën elektorale që do të ndiqet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Ato kanë ndjekur me vëmendje dhe hap pas hapi të gjitha zhvillimet në funksion të reformës zgjedhore dhe kanë deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se përcaktimi i taktikës elektorale do të bëhej pas miratimit përfundimtar të Kodit të ri Zgjedhor", tha Milo. I autorizuar nga Kryesia Qendrore e Partisë, shtoi ai, në mënyrë unanime pas mbledhjes së saj të fundit, më lejoni të deklaroj këtu, në Kongresin e Rinisë Demokracia Sociale, se PDS-ja ka vendosur të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Socialiste dhe me forca të tjera të majta e progresiste. "Ky është një vendim sovran, i marrë me urtësi e gjykim të shëndoshë, e mbi bazën e një analize të kujdesshme e të përgjegjshme", insistoi Milo. Ai është udhëhequr, vijoi, nga mendimi se vetëm një e majtë e opozitë sa më e bashkuar dhe e harmonizuar në zgjedhjet e ardhshme mund të sigurojë fitoren. "Nuk do të ishim realistë po të mos deklaronim gjithashtu se në këtë vendim ka ndikuar edhe analiza se në rrethanat e reja që ka krijuar Kodi Zgjedhor, përfaqësimi dhe realizimi i synimeve elektorale të Demokracisë Sociale bëhet më i plotë vetëm nëpërmjet këtij koalicioni", sqaroi Milo. Askush, shtoi ai, nuk do na falë asgjë, as në këtë koalicion që po shkojmë dhe as në ndonjë koalicion tjetër që mund të shkonim. "Gjithçka do ta fitojmë vetë, me punën dhe me djersën tonë. Koalicioni i ardhshëm do të krijojë një frymë të re dhe një praktikë të re bashkëpunimi, bashkërendim të përpjekjeve për të realizuar synimin e përbashkët strategjik për të fituar zgjedhjet dhe për të ardhur në pushtet dhe konkurrencë mes njëri-tjetrit për të përfaqësuar partitë tona respektive", u shpreh Milo. Ne nuk jemi naivë, vijoi ai, që të na e hedhin të tjerët dhe as nuk nanurisemi me ëndrra boshe se do të na ndihmojnë të tjerët. "Ne do të japim kontributin tonë në fitoren e përbashkët, por do të marrim edhe hakun tonë, atë që e meritojmë për shkak të investimit tonë shumëvjeçar", garantoi Milo. Demokracia Sociale, duke shpallur zyrtarisht koalicionin me Partinë Socialiste, shprehu zyrtarisht dëshirën që ky të ishte një koalicion i plotë i të gjitha forcave të majta e progresiste. "Ne gjithnjë kemi qenë dhe kemi punuar për këtë qëllim dhe jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest. Ne shpresojmë që në hapësirën kohore që ka mbetur deri në zgjedhje do të gjenden arsye e mjete të mjaftueshme për të arritur bashkimin kaq shumë të pritur të së majtës nga i gjithë elektorati i majtë, sepse shumë gjëra na bashkojnë e më pak na ndajnë", tha Milo.