Meta, Ramës: Eja të takohemi
Paçka se e konsideroi një sforco, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konfirmoi dje se do të kërkojë takim me liderin socialist, Edi Rama. Gjatë një takimi me simpatizantë në rrethin e Matit, ish-kryeministri u shpreh se "duke qenë se ndaj të njëjtin mendim me ju dhe jam i bindur me shumicën e shqiptarëve në këtë çështje, do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t‘u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve". Në emër, shtoi ai, të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t‘i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t‘u takuar dhe për t‘i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të. Meta theksoi se "motoja e LSI-së është mundësi dhe mirëqenie për të gjithë. Për këtë LSI-ja, për gati një vit, është opozita kryesore në vend, ndaj një supermazhorance në Parlament, por jam i bindur minorancë në popull, e cila bashkohet me një koncept me qëllim të përbashkët, për të ndërtuar një sistem kapitalist oligarkik". Ky, shtoi ai, është kapitalizimi oligarkik që rrit varfërinë, e në veçanti, në zonat më të thella të vendit. "Por Shqipëria është me fat, sepse vërtet ka sot një fatkeqësi, që dy partitë më të mëdha aktualisht në Parlament dhe njëkohësisht dy parti të vjetra me një qëllim të përbashkët për të instaluar një sistem oligarkik, përfitues për një kupolë dhe përjashtues për të gjithë të tjerët, ka përballë një lëvizje shumë të madhe, që është LSI-ja", vijoi Meta. Teksa shprehu bindjen se "Qarku i Dibrës do të jetë një qark, që për shumë të tjerë që nuk e njohin do të jetë surprizë, por për mua aspak, ku LSI-ja i ka të gjitha mundësitë të dalë një forcë e parë politike. Nuk ka asnjë qark tjetër në Shqipëri që të jetë braktisur kaq shumë nga qeverisja, sesa Qarku i Dibrës. Nuk ka asnjë qark në Shqipëri, me të cilin, për fat të keq edhe PS, është tallur në mënyrë të pacipë", tha Meta. Ju e mbani mend, vijoi ai, se si përpara zgjedhjeve të vitit 2005 u bë gjoja inaugurimi i fillimit të Rrugës së Arbrit. "Ku është rruga e Arbrit? Ku janë këto vepra të tjera? Asgjëkund", konstatoi Meta. Më pas Meta, duke folur për ndryshimet arbitrare në Kushtetutë dhe miratimin e Kodit Zgjedhor, u shpreh se "në vend kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rënda". Zgjedhjet, tha ai, nuk kanë qenë pronë as e një, as e dy dhe as e tre partive, sepse zgjedhjet janë një moment vendimtar për të gjithë shqiptarët. "Ju e dini se ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, pikërisht që vendi të shkojë në zgjedhje të ndershme e të lira", konstatoi Meta. Berisha dhe Basha kanë deklaruar, tha ai, se ne nuk kemi çfarë t‘i bëjmë kryetarit të PS-së, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk e votojmë Kodin në rast se LSI-ja nuk mbetet pa komisioner në procesin e administrimit.