PBDNJ: Do të votojmë sërish kundër Kodit
Kthimi për rishikim i Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës duket se nuk do të ketë ndonjë ndikim në qëndrimin e partive politike. Ashtu siç kanë votuar dy javë më parë partitë parlamentare, duket se do të votojnë sërish kur Kodi të rikthehet në sallën e Kuvendit. PBDNJ-ja, e cila votoi kundër Kodit herën e parë, deklaron nëpërmjet deputetit Leonard Solis se ky qëndrim nuk do të ndryshojë as në votimin e dytë. Deputetët e PBDNJ-së kanë theksuar se nuk janë dakord me mënyrën se si u hartua Kodi, pa marrë në konsideratë shqetësimet e disa partive parlamentare. Gjithashtu, kundër Kodit herën e parë ka votuar edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili aktualisht ende nuk e ka bërë publike qëndrimin e tij, nëse edhe këtë herë do të jetë kundër tij, apo do të ndryshojë qëndrim. Ndërkohë që LSI-ja, PDK-ja dhe PS‘91 e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë Kod, duke u futur edhe në grevë urie dhe pas dështimit të përpjekjes së tyre ata i dërguan një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkonin që të mos e dekretonte Kodin e ri. Kreu i shtetit e ktheu Kodin, duke u dërguar edhe një letër deputetëve dhe Kuvendit, ku sqaronte hollësisht arsyet e këtij kthimi. Tashmë pritet që Kryetarja e Kuvendit, Topalli, të autorizojë Komisionin e Ligjeve për të marrë në shqyrtim projektligjin për Kodin e ri, për të bërë ndryshimet e duhura dhe më pas të kalojë për votim në Kuvend. Por, kthimi i Kodit nga Presidenti për rishikim të nenit 9, që ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve, është pritur në mënyra të ndryshme nga partitë politike. PS-ja e ka mirëpritur, duke u shprehur e gatshme për ridiskutim të këtij neni, ndërkohë që mazhoranca është shprehur kundër këtij vendimi, duke theksuar se Presidenti u bë palë me të vegjlit. Sipas mazhorancës, ky Kod duhej vlerësuar, sepse është miratuar me konsensus të plotë nga Kuvendi dhe ndryshe nga shumë ligje të tjera ka kaluar me 112 vota pro.