Leskaj: Vendimi i PDS, pjesë e filozofisë së PS
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, deklaroi dje se mënyra se si u prit nga salla, mënyra se si u prit nga të rinjtë shpallja, prej kryetarit të PDS-së, e pjesëmarrjes në koalicion të Partisë Demokracia Sociale me Partinë Socialiste, tregon etjen, dëshirën që shqiptarët, të rinjtë kanë për t‘u bashkuar. "Që do të thotë se ky vendim që kanë marrë strukturat vendimmarrëse të PDS-së mbështetet nga anëtarët e tyre, nga rinia", tha Leskaj. Ajo shprehu besimin se ky koalicion përputhet me atë filozofi që Partia Socialiste ka shpallur me kohë, për të cilin ka bërë thirrje, si dhe kontributin për një bashkim të madh, që është kontributi i të gjithë qytetarëve, që është bashkimi i të gjithë atyre forcave politike progresiste, që kërkojnë ndryshimin e Shqipërisë. "Ky kongres i sotëm i të rinjve ka një rëndësi, për shkak se pati inteligjencën dhe zgjuarsinë politike që të ishin të parët që t‘i afroheshin bashkimit të madh dhe ta konfirmonin në kongresin e tyre", vlerësoi Leskaj.