PD mbron ministrin e Jashtëm
Akuzat e opozitës ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, kanë rënë në vesh të shurdhër deri më tani. Mazhoranca është shprehur kundër kërkesës së selisë rozë, që ministri i Jashtëm të japë dorëheqjen. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, ka dalë zyrtarisht dje në mbrojtje të ministrit Basha, duke theksuar se "ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është përgjigjja më e mirë ndaj akuzave të Edi Ramës". Sipas Bumçit, thirrjet e Ramës për dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Basha janë dëshpëruese dhe kjo vjen pas një sërë takimesh të suksesshme të ministrit Basha me drejtues të diplomacisë botërore në Bruksel, Helsinki, Oslo etj. Sipas deputetit Bumçi, kryetari i PS-së, Edi Rama, me qëndrimin e tij faktohet si kryeprokurori politik i vendit që ka manipuluar deri në palcë institucionin e akuzës dhe që pas dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces manipulimi, përsërit në mënyrë të përditshme kërkesën për largimin e Bashës nga Ministria e Jashtme. Prej disa muajsh, ministri Basha është në qendër të akuzave të opozitës, e cila pretendon se ai ka abuzuar me fondet e rrugës Durrës-Kukës, ndaj duhet të mbajë përgjegjësi. Sipas opozitës, Basha ka përvetësuar miliona nga kjo rrugë, ndaj mazhoranca duhet të hapë rrugën për kryerjen e hetimeve nga organi i akuzës. Pretendimet e opozitës janë kundërshtuar vazhdimisht nga mazhoranca, e cila të gjitha akuzat e ngritura nga opozita i kanë cilësuar si politike. Ndërkohë që organi i akuzës, nga ana e saj, ka nisur hetimet për abuzimet me tenderat në këtë rrugë dhe ka kërkuar si të pandehur ministrin Basha. Vetë ministri Basha, gjatë deklaratave të tij si në Parlament ashtu edhe në media, ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke theksuar se ato janë thjesht politike dhe bëhen me qëllim të caktuar për të penguar përfundimin e rrugës së shekullit.