E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Basha po shpërdoron foltoren e Ministrisë së Jashtme

Socialistët shprehën dje
shqetësim për faktin se
politika e jashtme e shtetit
shqiptar, në këtë periudhë
shumë të rëndësishme të proceseve
integruese për Shqipërinë, por
edhe për Kosovën, është në dorën
e një ministri të Jashtëm të marrë si
të pandehur për shkak të abuzivizmit
me detyrën me shuma të
mëdha, në mënyrë të paligjshme.
Sekretarja për marrëdhëniet
ndërkombëtare në selinë rozë, Arta
Dade, tha se Kryeministri Sali Berisha
duhet ta kishte zëvendësuar
këtë ministër prej kohësh, sikurse
edhe opozita ka kërkuar, sepse ky
ministër nuk mund të na përfaqësojë
të gjithëve. "Ai duhet të ishte
zëvendësuar me një figurë të denjë
dhe dinjitoze, në mënyrë që të ulej
si i barabartë me gjithë homologët e
vet për çështje shumë madhore të
Shqipërisë dhe Kosovës", u shpreh
Dade. Sipas saj, ministri i Jashtëm i
Shqipërisë dje ka kryer një
abuzivizëm tjetër me detyrën, ai ka
përdorur podiumin e Ministrisë së
Jashtme, të asaj ministrie që përfaqëson
interesat e shtetit për të
sulmuar opozitën dhe për ta shitur
çështjen ordinere ku është i përfshirë,
si çështje politike. "Do të
kishim dëshiruar që ministri i Jashtëm
të largohej dhe të mos abuzonte
me patriotizmin, sepse diplomacia
që ai drejton tashmë është e penguar
për të kryer atë detyrë fisnike
që i parashikohet me kushtetutë
dhe konform legjislacionit", shtoi
Dade. Drejtuesja socialiste vlerëson
se ministri i Jashtëm duhet të largohet
një orë e më parë dhe të shkoj
tek organet kompetente, duke respektuar
shtetin, nëse nuk ka ndërmend
të bëj më dëme për politikën
e jashtme shqiptare. "Tashmë nuk
ka më asnjë iluzion dhe shqiptarët
po binden çdo ditë, se kjo është
qeveria më e paaftë dhe e korruptuar
e të gjithë tranzicionit dhe pa dyshim
që Lulzim Basha është një nga
figurat më përfaqësuese të këtij
korrupsioni dhe paaftësi, që nis nga
zyra e Sali Berishës", ngulmon sekretarja
socialiste për marrëdhëniet
ndërkombëtare. Dy ditë më parë,
socialistët, përmes Mimi Kodhelit,
kujtuan se Gjykata e Lartë i ka
kërkuar Kuvendit edhe një tjetër
heqje imuniteti për Lulzim Bashën,
pas asaj për vjedhje. "I ka kërkuar
heqjen e imunitetit për shpifje ndaj
Edi Ramës, i cili e ka paditur në
gjykatë Lulzim Bashën, duke i
dhënë mundësinë të faktoj shpifjet
e tij", tha Kodheli. Por, sipas saj,
kjo lule e spikatur e korrupsionit në
oborrin qeveritar, është në vetvete
fakti më jetësor i shprehjes ‘bërtet
hajduti, kapeni hajdutin‘ dhe
shëmbëlltyra më kuptimplotë e
degjenerimit të qeverisë së duarve
të pastra, në një çiflig punësh të
pista. "Ministri i pandehur Punëve
të Jashtme, i bën Shqipërisë dhe
Kosovës sot një dëm të madh. Lulzim
Bashës i themi të mos e ndotë
më mjedisin publik me kundërakuza
banale, por të çohet nga karrigia
e ministrit dhe të ulet në karrigen e
të pandehurit", nënvizoi Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›