Rrëmbehet dhe dhunohet e mitura nga qyteti i Shijakut
Orë të tëra tmerri dhe dhembjeje, që zor se do të shlyhen nga kujtesa e një 14-vjeçareje, e cila ra pre e babëzisë seksuale dhe kriminale nga dy bashkëfshatarë adoleshentë. Dita e djeshme ka qenë një e diel tmerri për të dhunuarën dhe nënën e saj. Policia e Shijakut dhe agjentët e antikrimit durrsak kanë mundur të kapin autorët e ngjarjes së rëndë që ka shkatërruar pafajësinë emocionale dhe fizike të një vajze fshati. Ndonëse të maskuar në fytyrë, e mitura ka arritur të njohë zërin e përdhunuesve të saj dhe kjo i ka ndihmuar policët t‘i kapin. Dy të dyshuarit e ndaluar për ngjarjen, sipas burimeve të policisë lokale, kanë pranuar pak çaste pas kapjes, se kanë abuzuar me të miturën. Vajza është rrëmbyer dhe përdhunuar pa pushim, derisa dhunuesit e saj adoleshentë janë lodhur dhe janë larguar duke e braktisur atë ashtu të zhveshur. Me vete i kanë marrë të mbathurat si trofe për t‘u dëshmuar, por denoncimi dhe veprimet e shpejta policore kanë çuar në prangosjen e A.Domit, 15 vjeç, dhe Ervis Smoqit, 18 vjeç. Viktima e dhunës fizike dhe seksuale, F.M., 14 vjeçe e gjysmë është bashkëfshatare me dy djemtë, të cilët duke fshehur fytyrën e tyre nën kapuçë të errët, e kanë marrë peng dhe më pas dhunuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Koxhas të Shijakut dhe ka përfunduar pas mesditës. Rreth tre orë pas marrjes peng në afërsi të banesës së saj, vajza është përdhunuar nga dy adoleshentët dhe është lënë atje, ndërsa aparatin celular që mbante me vete ia kanë marrë dhe hedhur, duke i hequr çdo mundësi për të komunikuar e kërkuar ndihmë. Gjithçka ka nisur pak minuta pas orës 08.00 të mëngjesit të djeshëm, kur e ëma e vajzës i kishte thënë asaj të dilte për të blerë diçka në dyqanin aty pranë. Me të dalë jashtë shtëpisë, vetëm pak metra më tutje vajza është rrëmbyer nga dy persona të maskuar, të cilët i kanë mbyllur gojën dhe e kanë marrë me vete. Duke denoncuar në Policinë e Shijakut, viktima e dhunës ka ndërtuar të gjithë skemën e ngjarjes, e cila më pas është pranuar edhe nga autorët e dyshuar. Ata e kanë hedhur në bar, shumë metra më tutje, larg syve të njerëzve dhe rezistencën e saj e kanë mbytur me të rrahura dhe mbajtjen me forcë, ndërsa me radhë njëri pas tjetrit kanë kryer disa herë marrëdhënie seksuale me të miturën F.M. Me prindër të divorcuar, vajza është parë si një njeri pa përkrahje nga dhunuesit. Ata i kanë flakur tutje mes barishteve të zonës telefonin celular, i cili më pas është gjetur nga policia, duke u bërë pjesë e materialeve të fiksuara si prova materiale, mes të cilave dhe veshjet e brendshme të së dhunuarës. Duke u dridhur si purtekë gjatë të gjithë kohës, vajza ka takuar nënën e saj dhe të dyja i janë drejtuar Komisariatit të Policisë së Shijakut për të kallëzuar rastin dhe kërkuar kapjen e fajtorëve. Burimet nga ky komisariat thanë për gazetën se në trupin e viktimës duken qartë shenjat e dhunës, ndërsa kurrizi i saj është gjakosur në baltë dhe bar nga përpjekjet e shumta për t‘i shpëtuar dhunës së egër. Dy të ndaluarit nga Shijaku ndodhen në ambientet e Policisë së Durrësit, ku do të qëndrojnë deri në vlerësimin dhe marrjen e masës së sigurisë nga gjykata e rrethit, ndërsa mbi ta rëndojnë akuzat e rrëmbimit të personit dhe kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. Çështja komplikohet, pasi dhe vetë autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë të mitur. Ndërkaq, Policia e Shijakut ka siguruar nënën e vajzës se do të kenë mbrojtje në vazhdim. Familja e njërit prej dhunuesve njihet se ka në gjirin e saj anëtarë që janë të njohur si kontingjent kriminal dhe kjo ka ngjallur frikë te familja e vajzës së dhunuar. Nëna e saj është e divorcuar dhe denoncimi për rrëmbimin e së bijës përtej përmasave të ngjarjes ka ngjallur tek ajo edhe frikën e veprimeve të mëtejshme ndëshkuese nga familjet e dy djemve të ndaluar.