E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmat, nivele të ulëta në tri vitet e fundit

Qeveria e drejtuar nga të
djathtët po merr gjithnjë e
më pak financime nga institucionet
e huaja donatore,
të cilat për vite me radhë kanë
mbështetur projekte të ndryshme
publike. Nga të dhënat zyrtare të
ofruara nga Ministria e Financave
shikojmë se vlera e financimeve të
huaja për vitin 2009 do të jetë rreth
21,6 miliardë lekë, në një kohë kur
niveli i tyre për vitet 2007 dhe 2008
kanë përkatësisht 33 dhe 66 miliardë
lekë. Në vitin 2005, kur
demokratët erdhën në pushtet,
kishin në dispozicion rreth 23 miliardë
lekë të programuara nga institucionet
e ndryshme financiare.
Ky fond u programua të përdorej
për buxhetin 2006, ndërsa për
2007 ndihma nga donatorët erdhi
në rritje, duke prekur kulmin në
vitin 2008. Tani, në 2009, kur vendi
parashikohet të përfshihet në
recension, qeveri të ndryshme,
organizma të Bashkimit Evropian,
si dhe donatorët tradicionalë, si
BERZH apo Banka Botërore, do të
ofrojnë më pak sesa ishte mbështetja
në 2006-ën. Për statistikë, financimet
e huaja për investime në
buxhetin e shtetit 2005 rezultonte
rreth 15 miliardë lekë.
Huaja
Vlerësohet se Shqipëria ka marrë
rreth 600 miliardë lekë financime
nga ndihmat e huaja,
nëpërmjet formave të ndryshme si
kredi të buta apo grante (falas).
Pak kohë më parë, Kryeministria
organizoi një takim me donatorët,
ku merrte pjesë edhe ministri i Financave,
Ridvan Bode. Ky i fundit,
nisur dhe nga situata e pritshme
në 2009, kërkoi më shumë mbështetje
nga qeveritë e ndryshme donatore.
Nga i gjithë vlera e financimit
të huaj për 2009-ën, rreth 16
miliardë lekë do të ofrohet mbështetje
me kredi të buta, ndërsa pjesa
tjetër do të jetë grant. Vetëm për
infrastrukturën rrugore janë
parashikuar të hidhen rreth 10
miliardë lekë, ku mbështetësi
kryesor vazhdojnë të mbeten Banka
Evropiane për Rindërtim dhe
Zhvillim. Megjithatë, shifra e financimit
të huaj për rrugët konsiderohet
4 miliardë lekë më e vogël
se financimi i dhënë në vitin 2007.
Mbështetja
Në lidhje me mbështetjen që
do të marrim gjatë vitit 2009, vihet
një prezencë e lartë e Bankës Islamike
për Zhvillim (IDB), e cila
parashikon një nivel kreditimi prej
2,2 miliardë lekë. Më pas renditen
qeveria italiane dhe ajo greke, me
nga 2 miliardë lekë secila, ku pjesa
më e madhe është e përqendruar
për rrugët. E përfshirë në shumë
projekte është Banka Botërore
dhe BERZH, të cilat në bashkëpunim
me bankat ose institucionet
e tjera partnere kanë
parashikuar vlera financimi që e
kalojnë 21,5 miliardë lekët. Duke
mbetur në kuadër të mbështetjes
së dhënë nga qeveritë, holandezët
do të na japin rreth 500 milionë
lekë, ndërsa japonezët rreth 57
milionë lekë. Në tabelat e investimeve
ekspertët e financave kanë
parashikuar të vendosen këto
shuma investimi, duke u nisur nga
kontratat e lidhura gjatë 2008 dhe
nga ecuria e projekteve të ndryshme
publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›