Dade: Bashkëpunimi me LSI-në zhgënjeu elektoratin
Intervista/ Sekretarja socialiste për marrëdhëniet me jashtë, e quan të dështuar diplomacinë parlamentare të Kryetares së Kuvendit
TIRANË- Lobimi që ka bërë Kryeparlamentarja Topalli në vendet e huaja për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka rezultuar i dështuar.
I këtij mendimi është ish-ministrja socialiste e Punëve të Jashtme, Arta Dade, e cila evidenton faktin se asnjë nga vendet e botes arabe ku Kryeparlamentarja ka lobuar më shumë, nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Në intervistën e dhënë për "Shekulli"-n, ajo komenton, midis të tjerave, edhe marrëdhëniet mes PS-së dhe forcave të tjera të majta, dhe kryesisht ato me LSI-në.
Znj. Dade, mazhoranca ka shkarkuar zotin Biberaj si përfaqësues të saj në delegacionin shqiptar në Këshillin e Europës. Si ish-ministre e Jashtme, por edhe si nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, sa normale ju duket një veprim i tillë dhe çfarë impakti do të ketë për imazhin e Shqipërisë tek ndërkombëtarët?
Arsyet e shkarkimit nuk janë të shprehura nga ana e mazhorancës, por janë të kuptuara jo vetëm nga opinioni politik vendas, por edhe ai i Këshillit të Europës. Fakti që delegacioni shqiptar u pezullua në dhënien e kredencialeve, qoftë edhe në një periudhë dy apo treditore, tregon se këtu realisht ka një problem.
Unë mendoj se Kryetarja e Parlamentit, me arrogancën që e karakterizon, dhe në aspektin formal institucional ka bërë një shkelje flagrante të rregullores së Parlamentit, e cila parashikon jo vetëm njoftimin e seancës parlamentare, por edhe votimin e shkarkimit dhe zëvendësimit të çdo përfaqësuesi në delegacione.
Të gjitha delegacionet e përhershme që përfaqësojnë Kuvendin e Shqipërisë në organizmat ku ne jemi anëtarë, siç është KE-ja, OSBE-ja, etj., në rregullore përcaktohet se duhet të jenë të balancuar politikisht sipas raporteve në Kuvend.
Mazhoranca, apo edhe PS-ja dhe partitë e tjera që përfaqësohen në këto delegacione, e kanë të drejtën e tyre ekskluzive të caktojnë ata deputetë që duhet t'i përfaqësojnë në këto organizma.
Pra, në përmbajtje se cili do të përfaqësojë PD-në është e drejta e kësaj force ta caktojë, ashtu sikundër është e drejta e PS-së të caktojë përfaqësuesin e vet. Por problemi është se këto kandidatura duhet të votohen dhe të marrin pëlqimin e seancës parlamentare.
Madje, në rregullore thuhet shprehimisht se, në rastet kur ka kundërshti, është i domosdoshëm votimi.
Prandaj, dhe në rastin e Biberajt, kishte kundërshti të vetë personit dhe për këtë arsye duhej të votohej në Parlament.
Pra, mesa duket, Jozefina Topalli, me arrogancën e vet, duke e konceptuar Parlamentin si pronën e vet private, ka vendosur vetë, pa marrë pëlqimin e Kuvendit në këtë rast. Ajo nuk mund të marrë vendime, pasi vendimet i merr
Parlamenti.
Ndërkohë, kohët e fundit kemi dëgjuar shpesh për rolin e diplomacisë parlamentare. Sa e suksesshme ju është dukur kjo diplomaci e zhvilluar nga Kryetarja e Kuvendit?
Ajo nuk mund të përfaqësojë të gjithë Parlamentin në mënyrë arbitrare. Edhe në aspektin e diplomacisë parlamentare, mua më duket sikur punon në boshllëk.
Fakti që ajo mburret se i ka dhënë një dimension të ri diplomacisë parlamentare, është absolutisht një demagogji dhe vizion shumë i cunguar i diplomacisë parlamentare, sepse kjo lloj diplomacie presupozon marrëdhëniet ndërparlamentare edhe në nivel të komisioneve dhe, në mënyrë të veçantë, të komisioneve të specializuara të Parlamentit për çështje të ndryshme të integrimit evropian.
Ajo nuk presupozon vizitat në boshllëk, apo vizita turistike të zonjës Topalli, siç e keni vene re, ka vajtur në Arabinë Saudite, ka vajtur në gjithë botën arabe më shumë se dy herë, dhe ka punuar në boshllëk, sepse rezulton se vendet që ajo ka vizituar, gjoja nën okelion për të lobuar për njohjen e shtetit të Kosovës, ka rezultuar se në shtetet që ajo ka shkuar nuk kanë avancuar njohjet e Kosovës.
Pra, bilanci diplomatik rezulton të jetë i dështuar. Edhe në aspektin tjetër, atë të mburrjes, që Kryetarja Topalli bën, se ka përfunduar ratifikimin e MSA-së nga parlamentet e vendeve të BE-së, duhet thënë se edhe këtu nuk ka ndonjë sukses, sepse kjo është mundur të realizohet për 32 muaj dhe praktikisht kjo është një procedurë normale e domosdoshme dhe nuk është arritur si pasojë e vizitave apo telefonave që ka bërë kryetarja.
Duhet thënë se kjo ka ndodhur si rezultat i vullnetit që ka Europa dhe i politikës së zgjerimit dhe, ratifikimi nga parlamentet, vjen domosdoshmërisht pas nënshkrimit të MSA-së dhe kjo nuk ka të bëjë fare, as me reformat që trumbetohen me të madhe nga kjo mazhorancë. Këtu dua të shtoj dhe një fakt tjetër, se ratifikimi nuk mban peng aplikimin e vendit për statusin e vendit kandidat.
A ka një rezultat konkret të punës që znj. Topalli ka bërë edhe në këtë aspekt?
Ne do të bëjmë një bilanc të punës që ajo ka bërë.
Do të bëjmë një bilanc të fondeve që ajo ka shpenzuar dhe a ia ka vlejtur ky shpenzim marramendës që është bërë nga znj. Topalli dhe çfarë rezultati është arritur, konform edhe shpenzimeve që janë bërë nga delegacionet e zonjës Topalli, që kanë qenë në shumë raste delegacione në mënyrë të pajustifikuar, në pjesëmarrjen e njerëzve që e rrethojnë atë.
Kuvendi miratoi në seancën e fundit rezolutën, ku i kërkon qeverisë që të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkohë që më parë, miratimi i saj nëpër komisione krijoi jo pak probleme, pasi megjithëse Komisioni i Jashtëm e miratoi me konsensusin e të gjithë përfaqësuesve politikë, Komisioni i Integrimit kërkoi të bëjë disa ndryshime.
Keni pasur koordinim për tekstin e rezolutës?
Secili komision ka agjendën e vet të punës, por gjithashtu ka dhe trajtime që mund t'i bëjë një akti edhe në mënyrë të paparashikuar. Komisioni i Jashtëm bëri një punë shumë serioze, sepse drafti fillestar i rezolutës ka qenë kopje e kërkesës që ka bërë edhe Kroacia për statusin e vendit kandidat dhe që është bërë në rrethana të tjera. Kështu që, Komisioni i Jashtëm e riformatoi atë, duke shtuar edhe paragrafin për angazhimin për zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme.
Madje, edhe nga Komisioni i Integrimit u sollën mendimet fillestare dhe ato u përfshinë në rezolutën e Komisionit të Jashtëm.
Personalisht bëra kërkesën që ta shihte Komisioni i Integrimit, por ky nuk u mblodh në kohën që u mblodh Komisioni i Jashtëm.
Në momentin që Komisioni i Integrimit është mbledhur, ka të drejtën të avancojë objeksionet apo amendamentet në seancë dhe kështu që është kjo e fundit ajo që vendos.
Komisioni i Integrimit e ka detyrë funksionale që të kërkojë më shumë llogari për procesin e integrimit, madje ekziston ligji "Zela" që nga 2004-a, që kryeministri është i detyruar të informojë Parlamentin në mënyrë periodike lidhur me realizimin dhe përmbushjen e detyrime që ka qeveria në kuadrin e procesit të integrimit në BE. Kështu që ky komision ka një volum pune shumë të madhe për të kryer dhe unë do ta inkurajoja që ta bënte këtë gjë.
Znj. Dade, jemi pothuajse katër muaj larg nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sa e gatshme është PS-ja në veçanti, por edhe e majta në përgjithësi, për ta përballuar këtë sfidë?
Është sfida madhore jo vetëm e së majtës, por e gjithë Shqipërisë. Jemi para sfidave të rëndësishme integruese, prandaj duhet bërë kujdes që të mbyllet përfundimisht kapitulli i zgjedhjeve të kontestuara jo vetëm nga forcat politike, por edhe nga ndërkombëtarët që na monitorojnë.
Nisur nga kjo, patjetër që në një garë elektorale, forcat politike përgatiten seriozisht për ta fituar këtë garë. Në rastin e këtyre zgjedhjeve, është një domosdoshmëri dhe është një moment shumë delikat, prandaj PS-ja duhet të punojë fuqishëm, në mënyrë që t'i fitojë këto zgjedhje për të rikonfiguruar spektrin politik që do të drejtojë vendin, për të rikonfiguruar mazhorancën qeverisëse.
Problemi i cenimit të institucioneve kushtetuese dhe tentativat për të kontrolluar këto institucione nga ana e Berishës, e bëjnë Shqipërinë që të mbetet në ato vende të konsideruara tashmë edhe nga organizmat prestigjiozë, një vend me një regjim hibrid.
Sa i sigurt është suksesi në këto zgjedhje, kur kemi një të majtë që shkon në to më e përçarë se kurrë më parë?
Po ta marrësh në gjithë spektrin e majtë, sigurisht që duket se ka probleme, por unë besoj se këto probleme nuk kanë të bëjnë me elektoratin e majtë. Këto probleme janë më shumë të krijuar artificialisht nga problematika që kanë individë të caktuar të së majtës dhe do të thosha më shumë në nivel individual.
Dhe, padyshim, që elektorati i majtë është i ndërgjegjësuar për këto probleme, sepse nuk janë probleme të reja, por janë probleme të mbartura që pas zgjedhjeve të 2005-s. Sistemi i atëhershëm, si pasojë e problemeve të së majtës, favorizonte të djathtën, sikurse ndodhi.
Ndërsa sistemi i ri që ne kemi adoptuar, nuk ka të bëjë fare me një rrezik të tillë. Për këtë arsye, elektorati i PS-së, baza e partisë, por edhe mbështetësit tanë, na kanë ndihmuar në artikulimin e këtij sistemi të ri zgjedhor, prandaj dhe ne avancuam dhe ky sistem do të vihet në provë në zgjedhjet e vitit 2009.
Elektorati i majtë nuk mund të bëjë më gabimin e 2005-s, që të hedhë dëm votën. Ne do t'u bëjmë thirrje për herë të parë votuesve tanë, që të votojnë për PS-në si subjekt, se në çdo zgjedhje i kemi thënë që të votojnë për partitë e tjera. Ky do të jetë dhe një moment testimi që secila forcë politike ka në elektorat.
Pavarësisht avantazheve që ju deklaroni se sjell ky lloj sistemi për rastet kur forcat dalin të veçuara, mendoni se do të ishte më mirë që të realizohej një koalicion parazgjedhor me të gjitha forcat e majta, përfshi edhe LSI-në?
Sigurisht që kjo ka të bëjë me mënyrën apo konceptet që ka secila forcë, sepse pavarësisht se pretendojnë se janë forca të majta, kemi shpeshherë krijim aleancash në nivel lokal, të cilat e kanë dëmtuar Partinë Socialiste, duke abuzuar me votën e elektoratit të majtë.
Dua të kujtoj aleancat joparimore lidhur me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, por gjithashtu ka qenë dhe një moment mjaft delikat, që u është dashur këshilltarëve të majtë ta kapërcejnë një moment të tillë edhe në Bashkinë e Fierit, kur u shkarkua me votën e përfaqësuesve të LSI-së kryetari i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti dhe në shkëmbim kanë marrë përfitime përkatëse nga ana e këshilltarëve të PD-së.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjen e kryetarëve të qarqeve. Pra, bashkimi i votave nga spektri i majtë me PD-në ka sjellë që shumë qarqe sot dominohen nga përfaqësuesit e djathtë.
Kjo nuk do të thotë që elektorati ka ndryshuar, por do të thotë se përfaqësues të së majtës kanë abuzuar me besimin që i ka dhënë ky elektorat dhe kjo ka qenë shumë e dukshme në pushtetin lokal. Ata që votuan të majtën kanë mbetur të braktisur nga këta këshilltarë, të cilët kanë abuzuar me besimin e elektoratit.
Kjo, sipas jush, e bën të pamundur realizimin e një bashkëpunimi parazgjedhor me LSI-në?
Jo, unë po jap disa elementë, të cilët na çojnë në konkluzionin se, edhe në rastet kur ne e kemi bërë këtë koalicion, interesat e vogla individuale apo partiake, kanë çuar në zhbërje dhe në abuzim me këtë koalicion.
I keni bërë llogaritë se mund të dilni fitues në këtë mënyrë?
Sigurisht që në të gjitha rrethanat PS-ja është forcë e parë dhe padyshim që fryma e përgjithshme e krijuar dhe hartimi i një programi që do të përmbyllte tranzicionin e vështirë dhe të mundimshëm, do ta bëjë elektoratin që të votojë në masë për PS-në. Duhet theksuar se në Shqipëri vetëm dy forcat e mëdha politike qeverisin vendin; është ose PS ose PD.
Tashmë njerëzit janë të ndërgjegjësuar me këtë. Edhe nga testimi që po i bëjmë në vazhdimësi elektoratit, na rezulton se ka një zhgënjim, jo vetëm nga PD-ja, por edhe nga mjaft subjekte të tjera politike, që kanë vegjetuar deri më sot në politikë, duke u fshehur pas partive të mëdha.
Natyrisht që elektorati i majtë është i sfilitur nga sherret dhe sulmet e paprincipta që ndodhin brenda së majtës dhe ata do të votojnë për atë parti që është treguar e matur dhe që nuk është përfshirë në debate dhe zënka meskine, të cilat përveçse dëmtojnë imazhin e këtij spektri, heqin edhe shpresën tek ky elektorat për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.