Sigurimet nuk preken nga kriza
Tregu i sigurimeve në vend është i 'shëndetshëm', pasi nuk rrezikohet të preket nga kriza financiare ndërkombëtare. Ekspertë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i kanë siguruar bizneset shqiptare, se kriza nuk do të reflektohet në tregun vendas. Dhe kjo për disa arsye. Së pari, sektori i sigurimeve në vend është i mirëkapitalizuar dhe kapitali që kompanitë e sigurimit zotërojnë është mëse i mjaftueshëm për nivelin e biznesit që ka tregu i sigurimeve në vend. Por sipas ekspertëve të AMF-së, përveç kësaj në tregun e sigurimeve ka ende vend për rritjen e mëtejshme të biznesit. Ndërkohë për të përballuar çdo situatë të 'pakëndshme' kompanitë e sigurimit kanë një fond garancie që arrin në masën e 3 milionë eurove.
Kriza
Kompania më e madhe e sigurimeve në botë rrezikoi të falimentonte si pasojë e krizës financiare. 'American International Group Inc"., kompania më e madhe e sigurimeve në SHBA rrezikoi falimentimin njëkohësisht me "Lehman Brothers", por u shpëtua nga investimi i qeverisë amerikane. Por ekspertë të ekonomisë kanë deklaruar, se kjo krizë nuk do të preke tregun vendas të sigurimeve dhe të bankave. Pak ditë më parë zyrtarë të lartë të qeverisë, por edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë i kanë garantuar shqiptarëve, se nuk do të preken nga kriza financiare ndërkombëtare. Gjatë një deklarate të dhënë pak kohë më parë kreu i BSH-së Ardian Fullani ka siguruar se bankat që operojnë në tregun vendas gëzojnë 'shëndet' të plotë, pasi nuk janë infektuar nga kriza financiare ndërkombëtare. Sipas tij, sistemi ynë bankar nuk është i përfshirë nga produktet toksike të tregut amerikan apo të tregjeve të tjera. Sistemi bankar shqiptar është i sigurt, sepse siguria e sistemit bankar qëndron në parametrat e tij të kapitalit, të likuiditetit dhe të fitimit. Sistemi bankar shqiptar është fitimprurës, madje dhe parametrat e kredive me probleme janë brenda parametrave të përcaktuara ndërkombëtare Gjithsesi përballë një situate të tillë BSH, ka rekomanduar që të rritet vigjilenca dhe kujdesi nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.