PDK: Ndoka nuk përfaqëson demokristianët e vërtetë, ata do të bashkëpunojnë me PD
Partia Demokristiane dhe kryetari i saj Anton Gurakuqi denoncojnë lojërat politike dhe të pamoralshme, që sipas tyre Nard Ndoka po bën me emrin e demokristianëve shqiptarë. Sipas një deklarate për shtyp të PDK, vihet në dukje fakti se kjo parti e ka bërë zgjedhjen e saj politike dhe në bazë të vullnetit të të gjithë demokristianëve të vërtetë shqiptarë do të bashkëpunojnë me PD-në dhe kryeministrin Berisha për të maksimalizuar fitoren e Koalicionit të Qendrës së Djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ata i qëndrojnë strik deklaratës se Ndoka nuk përfaqëson demokristianët shqiptarë, ku prezantimi i kandidatëve për deputet në qarkun e Dibrës nën siglën e PDK-së, tregon më së miri se ky person që është në prag të pensionit politik është drejtues i fraksionistëve të PDS. Ndoka and Company duhet ta harrojnë përfundimisht se mund të luajnë dhe nëpërkëmbin vlerat demokristiane, aq më tepër kur këtë gjë tentojnë ta bëjnë me mercenarë të marrë hua apo të blerë nga parti të majta. Jo më kot tre emrat e parë të listës prej 5 kandidatësh për qarkun e Dibrës, Emin Saraçi, Edmond Stojku dhe Agim Pisli, kanë qenë kandidatë për deputet të partisë Demokracia Sociale, në zgjedhjet parlamentare të 2005 dhe më konkretisht në zonat elektorale nr. 37 dhe 19, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj partie.