Bosch: OSBE ndihmon në shkatërrimin e municioneve të mbetura
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch deklaroi se kjo organizatë po ndihmon Shqipërinë për shkatërrimin e municioneve të mbetura. "Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e përfshirë dhe po ndihmon qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për shkatërrimin e municioneve të mbetura, nga të cilat ka ende shumë në këtë vend.
Duke ndihmuar në shkatërrimin e tyre ne ndihmojmë në shmangien e çdo lloj fatkeqësie në të ardhmen", tha ambasadori Bosch, gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Rehabilitimit për Gratë dhe Fëmijët në Gërdec. Qendra "Vizion", në Gërdec, do të shërbejë si kopsht për fëmijët, ndërsa janë hapur edhe kurse kompjuteri e rrobaqepësie për të reja, si dhe një zyrë për psikologun. Ajo është ngritur në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe organizatat joqeveritare.