KSHH: Aplikimi për pasaportat biometrike, pengon pajisjen me karta
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) konsideron si prioritare dhe urgjente pajisjen e shtetasve që skanë pasaportë për jashtë shtetit, me kartat e identitetit dhe njohjen e zgjedhësve me listat paraprake të shpallura, duke sugjeruar MB të rishqyrtojë nismën për të kaluar në të njëjtën kohë edhe në aplikimin e pajisjes së shtetasve me pasaporta biometrike.
E themi këtë edhe për faktin se, koha deri në zgjedhjet e 28 qershorit është relativisht e shkurtër, deklaron KSHH, ku vihet në dukje se çdo lloj formalizmi, ngadalësimi ose mungesë organizimi mund të shoqërohej me pasoja të dëmshme. Duke iu referuar njoftimit të MB për fillimin e procesit të aplikimit me pasaporta biometrike duke filluar nga Tirana, KSHH shprehet se pajisja e shtetasve shqiptarë me dokumente të reja identiteti, paraqet rëndësi të veçantë për liberalizimin e vizave, por mendon se ky veprim mund të vështirësonte ose të ngadalësonte procesin e pajisjes me karta identiteti të zgjedhësve që nuk kanë pasaportë. Një tjetër çështje e rëndësishme dhe prioritare është njohja e zgjedhësve me listat paraprake të shpallura, ku KSHH i sugjeron kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që të shqyrtojnë këtë çështje, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e kësaj detyre brenda afateve të përcaktuara në ligj. Duke i bërë thirrje qytetarëve për aplikimin dhe pajisjen me letërnjoftime elektronike, thekson se këta të fundit duhet të verifikojnë saktësinë e emrave në listat paraprake të shpallura dhe në rast pasaktësie ose mungese, në përputhje me ligjin, të kërkojnë korrigjimin e tyre.