E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: “Berisha t’u shpjegojë shqiptarëve se përse refuzon të hapë kutitë e votimit”



Partia Socialiste konfirmon vendimin për të mos hyrë në Parlament në rast se nuk do të plotësohet kushti kryesor i paraqitur prej saj, që ka të bëjë me hetimin e manipulimeve dhe garantimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se qëndrimi i PS-së është i vendosur për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin dhe që kanë të bëjnë me rinumërimin e kutive të votimit dhe rishqyrtimin e materialeve zgjedhore. “Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq”, - tha Dade. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS e akuzoi kryeministrin Berisha se po cenon integrimin e Shqipërisë me mosreflektimin për vjedhjen masive të votës. Ajo kërkoi nga kryeministri Berisha që t’u shpjegojë shqiptarëve se përse po refuzon të plotësojë kërkesën e ligjshme të PS-së për hapjen e kutive. “Sali Berisha duhet t’u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim. Vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli”, - deklaroi Dade.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›