E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për kreun e PS-së, Rama dhe Lakrori përballen në Elbasan

Kreu në detyrë i PS-së i shpjegon anëtarsisë qëndrimet për bojkotin e Parlamentit. Lakrori: “Platforma ime do të bashkojë socialistët dhe do t’i rikthejë në pushtet”

Shaban Sulçe
Fushata për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste ka nisur me përballje direkte midis dy kandidatëve, kreut në detyrë Edi Rama dhe kandidatit Maqo Lakrori. Rama dhe Lakrori kanë zhvilluar dje një takim të përbashkët me anëtarësinë e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, ku kanë shpalosur platformat e tyre konkurruese në garë. Takimi është zhvilluar në ambientet e teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit dhe në të kanë marrë pjesë rreth 300 anëtarë të Partisë Socialiste të këtij rrethi. Pas shpalosjes së platformave, kandidatëve u janë drejtuar pyetje nga anëtarësia e pranishme në sallë. Rama dhe Lakrori kanë kërkuar mbështetjen e anëtarësisë socialiste në zgjedhjet e 26 shtatorit, duke premtuar një drejtim ndryshe nga njëri-tjetrit të Partisë Socialiste.

Rama
Kreu në detyrë i Partisë Socialiste gjatë fjalës së tij në takimin e djeshëm qëndroi me të njëjtën linjë me fjalimin që pati gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Rama i konfirmoi anëtarësisë socialiste të Elbasanit qëndrimin për të mos njohur Parlamentin dhe qeverinë e re, për shkak të maskaradës zgjedhore të 28 qershorit. Ai tha se PS-ja nuk mund të pranojë Parlamentin pa hapur kutitë e votimit, teksa ka kërkuar mbështetjen e anëtarësisë në kauzën e tij për të mos lejuar ripërsëritjen e manipulimeve të proceseve zgjedhore në Shqipëri. “Ne besojmë fuqishëm në një alternativë tjetër nga ajo e pushtetit dhe vazhdojmë të denoncojmë procesin e deformuar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Socialistët shqiptarë kanë detyrimin ta denoncojnë maskaradën zgjedhore dhe krimin elektoral të 28 qershorit, i cili lindi një Kuvend që ka legjitimitet. Nëse e falim manipulimin e këtij procesi ne i japin shansin Berishës, Metës e Nanos ta kthejnë Shqipërinë në një skenë të mbyllur duke rrezikuar në një të ardhme edhe fatet e opozitës, e cila mund të shitet te qeveria. Por shqiptarët nuk janë të lindur për të jetuar në batakun e qeverisë së Berishës, por për të jetuar me dinjitet në Europën e Bashkuar, të cilën e djathta po e mban peng me maskaradën elektorale të këtij viti. Prandaj, duke pasur në dorë lirinë tonë, të ardhmen tonë, nuk duhet ta lejojmë kurrë këtë gjë që të përsëritet sërish. Duhet të rezistojmë dhe këtë duhet ta bëjmë jo për hir të interesave të ngushta, por për hir të një Shqipërie sa më të begatë”, - ka deklaruar Rama.

Lakrori
Ndryshe nga rivali i tij, kandidati Maqo Lakrori, përpara se të mbante fjalimin në fjalë u ka vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të pranishëm në sallë dokumentin e platformës së tij elektorale. Platforma e quajtur “Socialistët e bashkuar” u prezantua nga Lakrori edhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste në fundin e muajit gusht. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në takimin e djeshëm Lakrori tha se në rast se anëtarësia socialiste do të votonte për platformën e tij, Partia Socialiste do të ndahej përfundimisht nga fenomeni i kultit të individit dhe lidershipi autoritar. “Jam para jush në cilësinë e kandidatit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste për të propozuar një parti të fortë, ku vendimet të merren në mënyrë kolegjiale dhe zbatimi i tyre të realizohet duke punuar në ekip. Në partinë të cilën synon ta drejtojë, kryetari duhet të jetë vetëm kryepërfaqësuesi i mendimit të përbashkët dhe njëkohësisht kryepërgjegjësi për zbatimin e vendimit të përbashkët. Metoda demokratike e drejtimit kolegjial dhe puna në ekip do të fitojnë mbi metodën autoritare personale dhe ky do të përbëjë një hap madhor reformator jo vetëm për PS-në, por për të gjithë jetën politike në vend. Konkurrimi im bëhet për t’i shërbyer bashkimit të të gjithë socialistëve dhe së majtës demokratike”,- vijoi ai. Lakrori tha se platforma e tij synon miratimin e ndryshimeve në statut, bashkimin e së majtës, organizimin e një referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese, zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe objektivi për fitoren e tyre dhe rikthimin e PS-së në pushtet.

Zgjedhjet, më 26 shtator

Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste do të zhvillohen në datën 26 shtator me anë të parimit “një anëtar, një votë”. Anëtarësia socialiste do t’u drejtohet kutive të votimit dhe do të votojë për emrat e dy kandidatëve, kreut në detyrë Edi Rama dhe kandidatit Maqo Lakrori, ndërkohë që kandidatët e tjerë, Arben Malaj dhe Ben Blushi, deklaruan tërheqjen nga gara. Në zgjedhjet e 26 shtatorit pritet të marrin pjesë rreth 60 mijë anëtarë të Partisë Socialiste. Ndërkohë, selia rozë ka përfunduar procesin e ngritjes së komisioneve rajonale në 37 rrethe të vendit, të cilat do të menaxhojnë procesin dhe do të bëjnë numërimin e votave. Ndërkaq, fushata e përbashkët e Ramës dhe e Lakrorit pritet të zhvillohet edhe në qytete të tjera të vendit.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›