Dade: “Do të përshkallëzojmë luftën politike në mbrojtje të votës së lirë”
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, ka reaguar dje në lidhje me ftesën që Berisha i bëri opozitës për të kontribuar për procesin e liberalizimit të vizave. Ajo tha se në vend që Sali Berisha të vazhdojë të bëjë thirrje të pasinqerta për bashkëpunim për reformën elektorale me Partinë Socialiste duhet të përmbushë kushtet që opozita ka vendosur për pjesëmarrjen e saj në Parlament.
“I kujtojmë Sali Berishës dhe opinionit publik që Partia Socialiste u angazhua seriozisht për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e 28 qershorit. Për fat të keq, strukturat e komanduara nga Sali Berisha shkelën nenin e rëndësishëm të Kodit Zgjedhor për rinumërim të votave në rastet kur kjo kërkohet nga dy anëtarë të KQZ-së. Në mbrojtje të demokracisë, Partia Socialiste do të përshkallëzojë luftën e saj politike duke nisur me mitingun e datës 10 tetor, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që gjykojnë se është cenuar themeli i demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, - është shprehur Dade, ndërsa shtoi se PS-ja do të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar për proceset integruese të vendit. “Shqiptarët janë po aq dinjitozë sa të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të NATO-s dhe të BE-së dhe ky dinjitet manifestohet edhe në mbrojtje të votës së lirë dhe denoncimit një pushteti të dalë nga vjedhja dhe shtrembërimi i vullnetit të lirë të votuesve. Partia Socialiste do të jetë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë me Bashkimin Europian, që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, proces ky i vonuar nga mungesa jo vetëm e vullnetit politik të Sali Berishës, por edhe angazhimit të qeverisë së tij për përmbushjen e kushteve”, - është shprehur Dade.
8 Tetor 2009