E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni i djathtë, në protestë me PS-në për transparencën e zgjedhjeve



Eljona Ballhysa
Katër parti të djathta njoftuan dje bashkimin e tyre me Partinë Socialiste për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetarët e partive të qendrës së djathtë, konkretisht Nard Ndoka i demokristianëve, Spartak Ngjela i Partisë për Ligj e Drejtësi, Dashamir Shehu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Ylber Valteri i Bashkimit Demokrat zhvilluan dje në selinë e PDK-së një takim në përfundim të të cilit vendosën t’u bashkohen protestave të opozitës për të kërkuar transparencën e procesit zgjedhor në Shqipëri. Ngjela, Ndoka e Shehi kërkojnë hapjen e kutive të votimit në ato qendra ku janë vënë re parregullsi gjatë procesit të votimit apo numërimit të votave. Ata gjithashtu kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe kanë hedhur idenë e krijimit të një grupimi të ri politik të këtyre partive që i përkasin qendrës së djathtë.
Deklarata
Në përfundim të takimit, krerët e partive të djathta dolën me një deklaratë të përbashkët për shtyp, në të cilën bëjnë të ditur qëndrimin e tyre pro bojkotit të Kuvendit nga PS-ja dhe pro nisjes së protestave me qëllimin për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. “Përfaqësuesit e katër partive politike vlerësuan se në zgjedhjet e 28 qershorit u goditën rëndë standardet demokratike dhe pluralizmi politik, liritë politike të qytetarëve dhe perspektiva europiane e Shqipërisë. Përfaqësuesit e katër partive politike e konsideruan këtë një situatë shumë të rëndë dhe vlerësuan se zbardhja e manipulimeve dhe deformimeve të zgjedhjeve të 28 qershorit është vendimtare për të ardhmen e demokracisë në vend. Ata kërkuan hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave në qarqet e kontestuara, si një e drejtë legjitime e qytetarëve shqiptarë dhe si një kusht për të mbyllur kapitullin e errët të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të unionit të djathtë. “Përfaqësuesit e katër partive politike të qendrës së djathtë mbështetën kërkesën e drejtë të opozitës për rinumërimin e votave dhe protestat e saj për transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ata mbështetën bojkotimin e Parlamentit nga deputetët e opozitës deri në plotësimin e kërkesave të drejta për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave në qarqet e kontestuara”, - bëhet e ditur në deklaratë. Ndërkaq, përfaqësuesit e katër partive politike kanë hedhur në këtë takim idenë e rigrupimit të partive opozitare të qendrës së djathtë në një organizëm të përbashkët politik. Ata vlerësuan domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave jetike për vendin dhe në veçanti theksuan domosdoshmërinë e rishikimit dhe reformimit të Kodit Zgjedhor. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për dialog politik dhe bashkëpunim me të gjithë faktorin politik në vend, që është i angazhuar për hartimin e një ligji të ri zgjedhor që garanton zgjedhje të drejta dhe të lira.

Shehi dërgon në Kushtetuese kërkesën për rinumërimin e votave në Tiranë

Kryetarët e katër partive të djathta, në deklaratën e tyre, kanë shprehur mbështetjen për ankesat që LZHK-ja i ka bërë institucioneve kushtetuese për ndëshkimin e shkelësve të ligjit dhe njëkohësisht i inkurajojnë këto institucione për zbatimin e ligjit me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve te pavarësia e Gjyqësorit. Një ditë më parë, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e forcës së tij për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës. Shehi ka bërë të ditur se do të nisë betejën gjyqësore në Kushtetuese, ku do të paraqesë të gjitha pamjet filmike dhe procesverbalet ku vërtetohet vjedhja e votave ndaj forcës së tij. Po ashtu, Shehi bën të ditur se kërkesa ka si objekt hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, të paktën për qarkun e Tiranës, ku forca e tij pretendon se i janë vjedhur më shumë vota. Shehi gjithashtu ka depozituar edhe në prokurori një kallëzimin penal përkatës, ndërsa i ka dërguar edhe një letër presidentit Bamir Topi, të cilit i kërkon që të ndërhyjë në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në kallëzimin penal dhe në letrën drejtuar presidentit Topi, kreu i LZHK-së ka dërguar edhe materialet përkatëse, mbi të cilët bazohet edhe pretendimi i tij për vjedhjen e votave që i janë bërë LZHK-së. Nga ana tjetër, Shehi bën me dije se një ekip i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar po punon për evidentimin e shkeljeve të tjera gjatë procesit të numërimit të votave dhe pas disa javësh do të publikohet edhe një raport i përmbledhur dhe i faktuar i të gjitha shkeljeve të konstatuara në të gjitha qendrat e numërimit të votave në qarkun e Tiranës. Referuar të dhënave të deritanishme të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, rezulton se kësaj force i janë numëruar keq rreth 50 për qind e votave.

Protestës së PS-së i bashkohet Milo e Gjinushi

Protestës së datës 10 tetor, të iniciuar nga Partia Socialiste, do t’i bashkohen edhe aleatet: Partia Demokracia Sociale dhe Partia Social Demokrate. Partia Demokracia Sociale ka dalë dje në mbështetje të protestës të programuar nga Partia Socialiste, që pritet të zhvillohet mbasditen e 10 tetorit në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se, “PDS-ja mbështet protestën e PS-së dhe u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në protestën për hapjen e kutive të votimit”.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›