Kryebashkiakët ankohen te OSBE-ja dhe KE-ja: Berisha po na cenon autonominë
Të zgjedhurit vendorë takohen me ambasadorët Helmut Lohan dhe Robert Bosh. Përfaqësuesit socialistë: Qeveria po përgjysmon buxhetin e pushtetit vendor
Shaban Sulçe
Kryetarët e bashkive kryesore të vendit, përfaqësues të Partisë Socialiste, përshkallëzojnë veprimet e tyre kundërshtuese ndaj iniciativës më të fundit të qeverisë për reduktimin e të ardhurave të pushtetit vendor. Ashtu siç paralajmëruan disa ditë më parë, kryebashkiakët socialistë janë ankuar pranë përfaqësisë së Komisionit Europian dhe OSBE-së në Tiranë. Ata kanë vizituar dje selitë e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare për t’u takuar me ambasadorët Helmut Lohan dhe Robert Bosh, të cilëve u kanë bërë prezente shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin e marrë nga ana e qeverisë. Sipas të zgjedhurve vendorë, vendimi i qeverisë për reduktimin e të ardhurave të pushtetit lokal është një shkelje e hapur e autonomisë. Në përfundim të këtyre takimeve është vendosur që të ketë një takim të dytë midis drejtuesve të pushtetit vendor dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për të diskutuar dhe për të zgjidhur shqetësimin e shprehur prej tyre.
Deklarata
Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit ndërkombëtarë, në emër të kryebashkiakëve, Artan Shkëmbi, kreu i Bashkisë së Pogradecit, dha një prononcim për mediat, ku bëri publik qëllimin e këtij takimi dhe shqetësimet e shprehura nga drejtuesit e pushtetit vendor. Ai pohoi se ambasadorët Lohan dhe Bosh kishin shprehur angazhimin e tyre për ta zgjidhur këtë çështje, dhe për këtë arsye ishte vendosur dhe zhvillimi i një takimi të dytë. “Paraqitëm raste konkrete, ku buxhetet e bashkive cenohen duke arritur në vlera deri në 50% të reduktimit të buxhetit, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Vendosëm që të kemi një takim të dytë, për të diskutuar çështjen, por me siguri besojmë se do të ketë një diskutim me qeverinë për këtë gjë, dhe më pas, në takimin e dytë, do të ketë diskutime të mëtejshme”, - tha Shkëmbi.
Bojkoti
Kryetarët e bashkive kryesore, përfaqësues të Partisë Socialiste, si kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdiu, ai i Durrësit, Vangjush Dako, kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi etj., vendosën të bojkotonin dje mbledhjen përgatitore të organizuar nga Ministria e Brendshme për të kryer festimet në datën 15 tetor, kur do të nënshkruhet karta e autonomisë lokale. Ndërsa mbledhja zhvillohej në Ministrinë e Brendshme, ku merrnin pjesë krerët bashkiakë të PD-së dhe të LSI-së, përfaqësuesit e PS-së refuzuan të shkonin në këtë mbledhje, për t’u takuar me ambasadorët e OSBE-së dhe KE-së për t’u ankuar për vendimin e qeverisë për uljen e taksës së informalitetit.
Krerët e bashkive paralajmëruan përshkallëzimin e veprimeve kundërshtuese
Hapi i parë kundërshtues ndaj vendimit të qeverisë për reduktimin e taksës së informalitetit u hodh nga krerët bashkiakë socialistë, në një takim të zhvilluar disa ditë më parë në selinë e Partisë Socialiste. Të zgjedhurit vendorë u mblodhën në këtë takim, për të diskutuar rreth pasojave të këtij vendimi dhe pas takimit të zhvilluar ata paralajmëruan qeverinë se do të përshkallëzonin veprimet e tyre kontestuese. Kryebashkiakët socialistë paralajmëruan edhe ankimin pranë institucioneve ndërkombëtare, gjë që ndodhi edhe dje. Krerët bashkiakë e cilësuan vendimin e qeverisë si shprehje e rëndë e cenimit të autonomisë së pushtetit vendor. "Këto iniciativa të qeverisë shqiptare bien ndesh me politikën e autonomisë vendore dhe ne sot jemi mbledhur në një takim, ku në përfundim i bëjmë thirrje qeverisë që të mos kujtojë se ne do të kthehemi në një ndërmarrje komunale, por do të vazhdojmë të përshkallëzojmë qëndrimet tona për të garantuar ato që na njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe për të garantuar të gjithë zgjedhësit tanë për shërbime cilësore dhe investime të qëndrueshme. Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e mospërqasjes politike që ne përfaqësojmë në këto bashki, në raport me qeverisjen qendrore dhe kjo mospërqasje nuk duhet të kalojë në kurriz të këtyre investimeve, që janë për qytetarët tanë, të cilët na kanë votuar dhe ne i kemi përfaqësuar denjësisht deri tani", do të deklaronte pas takimit, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Ulja e taksës së informalitetit, shkaku i përplasjes qeveri-bashki
Shkak i përplasjes midis qeverisë dhe bashkive ka qenë miratimi nga ana e Kuvendit i ligjit për reduktimin deri në 6 herë më pak të taksës së ndikimit në infrastrukturë, ose, siç quhet, taksa e informalitetit. Ulja e kësaj takse pritet të sjellë pasoja të ndjeshme te të ardhurat e pushtetit vendor dhe, sipas kryebashkiakëve, buxheti i tyre reduktohet deri në nivel 50%. Kjo pasi 320 mijë pronarët e ndërtimeve pa leje do të paguajnë një taksë disa herë më të ulët. Në ligjin e mëparshëm, të gjithë banorët që kishin ndërtuar pa leje duhet t’i paguanin pushtetit vendor, gjatë procesit të legalizimit si taksë ndikimi në infrastrukturë, 1-3 për qind të vlerës së investimit, në varësi të zonës ku ndodhet objekti. Si rezultat i kësaj takse, bashkitë dhe komunat përfitonin në total 100 deri në 300 milionë dollarë në vit. Por, me ligjin e ri, i cili e zbret taksën e ndikimit në infrastrukturë, në 0.5 për qind, të ardhurat e pushtetit vendor nga taksa e ndikimit në infrastrukturë zbresin në 50 milionë dollarë. Si rezultat i miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, bashkitë dhe komunat do të privohen minimalisht nga shuma prej 50 milionë dollarësh në vit, ndërsa në rastin më të keq fatura e humbjeve shkon në 250 milionë dollarë.
8 Tetor 2009