Edi Rama: “Presidenti Topi të shprehet për shqetësimet e PS-së”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar një provokim të rëndë të kryeministrit Berisha çështjen e asgjësimit të kutive të votimit, pasi hapja e këtyre kutive është dhe kushti kryesor i vendosur nga PS-ja për të hyrë në Kuvend. Gjatë një interviste televizive Rama tha se nëse preken fletët dhe kutitë e votimit, më i dëmtuari nga ky veprim do të rezultojë vetë kryeministri Berisha. “Ky është një provokim i hapur dhe rëndim i bazës që e rëndon më tej dhe më shumë Sali Berishën. Së dyti, çështja e kutive është e domosdoshme, se Sali Berisha duhet të kuptojë se do të jetë e keqja e tij nëse do të preken kutitë, pasi ato janë objekti i prekshëm i transparencës tonë. Unë nuk e uroj këtë për askënd dhe për vetë Sali Berishën”, - tha Rama. Kreu i Partisë Socialiste kërkoi nga Presidenti i Republikës Bamir Topi që të reagojë ndaj shqetësimit të ngritur nga Partia Socialiste në lidhje me abuzimet me lejet e dënimit për të burgosurit, të cilët u angazhuan gjatë fushatës elektorale të PD-së. Rama tha se presidenti Topi duhet të flasë për këtë çështje dhe t’i përgjigjet edhe letrës zyrtare që i ka dërguar Partia Socialiste. “Topi ende nuk i ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre drejtuar në adresë të tij ku kam ngritur shqetësimin për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës elektorale të PD-së dhe lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë në këtë kohë. Këtë presim nga presidenti dhe shpresojmë në një përgjigje”, - tha kryesocialisti. Më tej Rama theksoi se mosnjohja e zgjedhjeve ka një bazë të fuqishme që i detyron socialistët të qëndrojnë jashtë Parlamentit. “Ne nuk kërkojmë ndryshimin e pushtetit në tavolinë. Por kemi detyrim historik t’i japim fund historisë së zgjedhjeve të papranueshme që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë njësoj si këto”, - vijoi ai. Kreu i Partisë Socialiste ka deklaruar gjithashtu se opozita është shumë pranë vendimit për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. “Ende nuk kemi marrë vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon se nuk na ha mendja se do të jemi”, - tha Rama.
8 Tetor 2009