E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: Do votojmë çdo ligj që prek interesat kombëtare



Sekretarja socialiste për Marrëdhënie me Jashtë, Arta Dade, në një intervistë për "Panorama", shpreh shqetësimin për kri-zën e pazgjidhur politike, debatin parlamentar dhe përpjekjet e Kryeministrit për të kontrolluar çdo institucion.

Jemi një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe ende kriza është evidente, e pa zgjidhur dhe pse rezoluta e PE-së kërkon zgjidhjen e saj. Si i konsideroni mesazhet e fundit të ndërkombëtarëve, kam parasysh ministrin e Jashtëm belg, i cili kërkonte zgjidhjen sa më parë të krizës?
Unë bashkohem me konstatimin tuaj, që Shqipëria dhe pas një viti vazhdon të jetë e "mbërthyer" në krizën politike, e cila ka ndikimet e veta në jetën ekonomike dhe sociale. Në themel të kësaj krize të gjithanshme, qëndron kriza politike. Mesazhet e faktorit ndërkombëtar kanë qenë në vazhdimësi për të inkurajuar dialogun dhe bisedimet. PS ka qenë vazhdimisht e gatshme për të dialoguar, madje, ka lëvizur nga pozicionet e saj fillestare, siç ishte rikthimi në Parlament, e duke iu përgjigjur pozitivisht sugjerimeve të ndërkombëtarëve, të cilët u angazhuan seriozisht në fillim të këtij viti. Por për fat të keq, iniciativat dhe përpjekjet e faktorit ndërkombëtar rezultojnë të dështuara, sepse ato kanë rënë në vesh të shurdhër nga ana e maxhorancës dhe dihet që kriza nëse do të vazhdojë do të thellojë krizën e gjithanshme, ndërsa PS do të aktivizohet në vjeshtë në veprime konkrete, ashtu siç është shprehur kryetarit socialist, zoti Rama, me anë të protestave. Por ne do të intensifikojmë kontaktet me aktorët dhe partnerët ndërkombëtarë, që ishin të angazhuar realisht për zgjidhjen e krizës. Do të kemi një intensifikim të këtyre përpjekjeve dhe nga OSBE-ODIHR. Madje, në Asamblenë Parlamentare, e cila u mbajt në Oslo në fillim të muajit korrik, në Komisionin e çështjeve të Demokracisë, ku trajtohen dhe çështjet zgjedhore, përmes rezolutave që trajtonin çështjet e trafiqeve dhe korrupsionit, është përmendur dhe është ngritur shqetësimi i korrupsionit në zgjedhje. Pra, nuk kanë qenë jashtë vëmendjes së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së edhe zhvillimet në Shqipëri. Unë mora fjalën dhe e ndava këtë shqetësim me të gjithë anëtarët e komisionit të tretë, raporteri i këtij komisioni u njoftua me të gjitha shqetësimet lidhur me krizën politike, por edhe raporteri i rizgjedhur i komisionit të parë të çështjeve politike, zoti Tonino Pizzula, ish- ministër i Jashtëm i Kroacisë, është në dijeni të këtyre zhvillimeve. Në krye të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është zgjedhur Petros Eftimiu, përfaqësues i PASOK-ut, i cili është një nga aktorët si nënpresident i kësaj Internacionale, që është bashkuar me konstatimin e zotit Soares, ish- president të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili kërkoi që në shkurt, që hetimi Parlamentar të jetë i plotë dhe në detaje. Pra, kemi një zhvillim pozitiv lidhur me sensibilizimin e plotë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe është ky organizëm që trajton pikësëpari çështjet e zgjedhjeve në të gjitha vendet e hapësirës së OSBE-së, për të përmbushur Kartën e Helsinkit.
Nisur nga mungesa e një rezultati konkret në zgjidhjen e krizës, do të duhej që PS-ja të vazhdonte grevën dhe protestat deri në marrjen e garancive të plota nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës?
Unë besoj se PS-ja ka luajtur mirë. Fakti që ka krijuar rreth vetes një mbështetje të jashtëzakonshme si kurrë ndonjëherë në këto vite tranzicioni, tregon se alternativa e saj është mbështetur dhe lidershipi i saj ka qenë i besueshëm dhe ka ngjallur shpresa për ta zhbllokuar situatën. Por sigurisht nuk mjafton serioziteti dhe impenjimi i njërës palë. Kriza për t'u zgjidhur është në dorën e maxhorancës, e cila duhet të bëjë ato ç'kanë kërkuar ndërkombëtarët, sepse në radhë të parë duhet të jetë ai i interesuar për zgjidhjen e krizës, në mënyrë që jeta politike t'i rikthehet normalitetit.
Si gjykohen nga ju ngjarjet e seancës së fundit të Parlamentit?
Megjithë përpjekjet tona për t'u rikthyer në Parlament dhe për të dhënë një imazh tjetër, që edhe përmes Parlamentit ne të vendosim urat e komunikimit, për fat të keq, ai Parlament është shndërruar në një arenë beteje të paprinciptë dhe opozita vazhdon të jetë e dhunuar në të drejtat e saj. Kujtoj rastin kur u privua nga e drejta e saj për të diskutuar për buxhetin në parim dhe sigurisht, për të arritur tek seanca e fundit, e cila për fat të keq përfundoi dhe në dhunë fizike. Përgjegjësi kryesor sigurisht është Kryeministri, të cilit i lihet një hapësirë e pakonceptueshme për Parlamentet e vendeve demokratike dhe përgjegjësia kryesore është ajo që duhet të ishte mbi palët, spikerja e Parlamentit, e cila ka deformuar modelin e gruas në politikë, ka dhunuar dhe statusin e numrit dy të shtetit shqiptar, që ia jep Kushtetuta. Parlamenti është bërë objekt kritikash dhe i progres-raportit, i cili jam e bindur se dhe këtë vit do të ketë kritika thelbësore për Parlamentin, sepse ne kemi mbajtur në kontakte të vazhdueshme të gjithë aktorët që monitorojnë Shqipërinë.
Opozita ka bërë atë që i premtoi ndërkombëtarëve për të hyrë në Parlament. Mendoni se PS duhet të votojë në Kuvend kundër ligjeve apo të mbajë këtë pozicion duke mos marrë pjesë në votim?
Sigurisht, kur ka ligje që venë në pikëpyetje interesat kombëtare, siç ishte rasti i amendamenteve për ligjin e SHISH-it, ne do të marrim pjesë në votime. Ne patëm një pjesëmarrje 100% ditën që ishte paralajmëruar miratimi i këtyre amendamenteve, pavarësisht se Sali Berishës nuk i dolën llogaritë e votave. është për t'u përshëndetur edhe akti i një numri personalitetesh nga ana e maxhorancës, që rezistuan dhe nuk u përdorën si në rastet e tjera për të kënaqur orekset e Kryeministrit për këtë ligj. Por, gjithashtu duhet përgëzuar dhe qëndrimi konstruktiv i LSI-së, që s'kishte si të ishte ndryshe, edhe për faktin se kryetari i LSI-së është ministër i Jashtëm dhe ai ka kontakte dhe informacion më të plotë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë dhe me partnerët e NATO-s; sigurisht që nuk mund të gabonte duke qenë në një linjë me Kryeministrin, lidhur me ligjin e SHISH-it.
Ditët e fundit ka disa akuza nga maxhoranca në adresë të Presidentit. Mendoni se këtij institucioni i mungon një ligj organik siç e kanë dhe institucionet e tjera të pavarura?
Unë besoj se Kushtetuta e ka të qartë rolin e Presidentit dhe nuk mund që sa herë krijohet një ngërç apo një krizë institucionale, të bëhen ndryshime kushtetuese. Këtu nuk kemi të bëjmë me boshllëk ligjor, por kemi të bëjmë me një mentalitet autoritarist, totalitarist dhe kontrollues nga ana e kreut të maxhorancës. Nuk është hera e parë që marrëdhëniet president-kryeministër nuk funksionojnë. Nëse kthehemi në kohë, do të shohim që menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit, ndoshta zoti Berisha ka menduar se Presidenti duhet të jetë një "instrument" në dorën e Kryeministrit. Presidenti është munduar të luajë rolin e vet kushtetues dhe për këtë arsye ka nisur dhe konflikti, ashtu siç ka ndodhur dhe me Prokurorin e Përgjithshëm. PS ka qenë vazhdimisht e shqetësuar për marrëdhëniet në krizë të institucioneve të shtetit. Edhe me Parlamentin, Presidenti ka pasur vazhdimisht marrëdhënie konfliktuale dhe ka qenë Presidenti i kujdesshëm, që këto marrëdhënie të bëhen të dukshme për opinionin, por asnjëherë këto marrëdhënie nuk kanë qenë normale dhe institucionale.
Partia socialiste ka kaluar një proces të ngjeshur zgjedhur për të përmirësuar organizimin e saj. Mendoni se në këtë fazë, kur jemi dhe para zgjedhjeve vendore, do të duhej të bëhej një freskim dhe votëbesim i forumeve qendrore të saj?
Me zgjedhjen e kryetarëve të partisë në rrethe dhe si një strukturë e re e prezantuar në statutin e ri që kaloi kongresi i fundit, Asamblesë Kombëtare i shtohen rreth 40 anëtarë të rinj, të cilët hyjnë automatikisht. Në këtë mënyrë kemi dhe një rifreskim të Asamblesë. Stina e re politike dhe aksioni i ri politik i PS do të kërkonte dhe një rikonfirmim të strukturave të PS. Kuptohet, Asambleja rinovohet me prurjet e reja, por ne do të kishim nevojë për një funksionim dhe kordinim më të mirë të të gjitha strukturave në rrethe, por edhe në qendër. Dihet që ka pasur vakuum në nivel të sekretarëve, dihet që ka pasur një vakuum të pjesshëm dhe të kryesisë dhe besoj se me stinën e re do të kemi një riorganizim të strukturave, në mënyrë që t'i përgjigjet më mirë dhe më me efikasitet veprimeve të reja politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›