Hyseni takon Ban Ki Mun, kërkon zëvendësimin e 1244-ës
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka takuar në Nju Jork një ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun.
Rusia ka kërkuar mbledhjen, pasi zotëron presidencën e Këshillit të Sigurimit këtë muaj dhe dëshiron të ruajë reputacionin e Serbisë pas dështimit në Hagë me argumentet e veta sërish kundër pavarësisë së Kosovës. Hyseni dhe Ban Ki Mun kanë folur për një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, praninë e UNMIK-ut, zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, njohjet, bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në kontekstin e ri që është krijuar pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në takim, ministri Hyseni ka kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. “Kërkesa për zëvendësim të Rezolutës 1244 nuk drejtohet kundër UNMIK-ut, i cili ka kryer një mision të mirë në Kosovë, por mbështetet në ndryshimin rrënjësor të rrethanave pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur Hyseni. Nga ana e tij, sekretari Ban ka thënë se zëvendësimi i Rezolutës është një çështje që duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit dhe i cili është kompetent për të vendosur për këtë. Po ashtu, ministri Hyseni ka bërë të qartë qëllimin final të Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.