Dade: Kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve për kutitë

Tiranë, 12 shkurt, NOA- Kryetari i Partisë
Socialiste, Edi Rama shkon në negociata me kryeministrin Berisha për të hapur
kutitë. Ky është qëndrimi që Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta
Dade mbajti sot në lidhje me takimin që do të zhvilloj Presidenti Topi me dy drejtuesit
politik. Dade u shpreh se ndërkombëtar i kanë dhënë mbështetjen kreu të PS-së për
të kërkuar hapjen e kutive.
Dje grupi parlamentar europian i socialistëve
dhe demokratëve i dha mbështetjen zyrtare kauzës demokratike të Partisë
Socialiste dhe opozitës shqiptare për hetimin e plotë të zgjedhjeve duke
përfshirë hapjen e kutive të votimit, u shpreh ajo.
Në këtë frymë të mbështetjes nga ndërkombëtarët,
Dade theksoi se do të jetë dhe qëndrimi i nesërm i Ramës në tryezën e
bisedimeve. Ajo u shpreh se tryeza është vijimi i rrugës së zgjidhjes së kauzës
për të cilën lufton PS-ja.
Nesër kryetari i opozitës shkon në tryezë me
mbështetjen e popullit opozitar, po edhe të miqve e partnerëve tanë
ndërkombëtarë që dje në Strasburg deklaruan zyrtarisht jo vetëm shqetësimin e
të gjithë botës demokratike për krizën në Shqipëri, por edhe bindjen se kjo
krizë mund të zgjidhet vetëm përmes një hetimi të plotë, transparent e të monitoruar
ndërkombëtarisht që përfshin hapjen e kutive të votimit, u shpreh Dade.
Deklaratat e deputetëve të PE-së, Dade i ka
cilësuar si qëndrim të gjithë institucioneve të BE. Përfaqësues të lartë të
Europës së lirë e demokratike folën hapur dhe pa asnjë ekuivok duke bashkuar
zërin e tyre me tonin për një kauzë që nuk është interesi i një pale e as motiv
i një lufte për pushtet, po interesi i Shqipërisë e i demokracisë në vendin
tonë, përfundoi ajo.
xh/NOA