E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusmali saboton miratimin e projektligjit për Gjykatën Administrative

Komisioni i Ligjeve shtyn sërish p/ligjin Për Gjykatën Administrative
Komisioni parlamentar i Ligjeve shtyu sërish dje shqyrtimin e projektligjit "për gjykatat administrative", pas kërkesës së opozitës që të merren parasysh propozimet e saj për draftin. Kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, në vijim të sabotimit të miratimit të këtij ligji kaq të rëndësishëm për biznesin,  propozoi që në ditët në vazhdim ekspertët e huaj dhe Ministria e Drejtësisë ta rishikojnë edhe njëherë projektligjin për të parë mundësinë për përmirësime. "Propozoj ta shtyjmë përsëri diskutimin e projektligjit për ditën e hënë dhe t'i kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë që të vërë në dispozicion të gjithë kapacitetet e veta nga dita e sotme. T'i kërkojmë ekspertëve të huaj që e asistojnë këtë p/ligj, nëse mund të jenë gjatë këtyre ditëve në takime ekspertësh pranë Ministrisë, për të diskutuar të gjitha detajet, propozimet e sugjerimet", tha kryetari i komisionit, u shpreh Rusmali. Duke pasur parasysh kontestimet e vazhdueshme të opozitës për këtë projektligj, Rusmali theksoi se "nëse ne, si politikë nuk kemi aftësinë të biem dakord për një projektligj të rëndësishëm si ky, do të thotë, dhe duhet ta pranojmë realitetin në sy, se do të dështojmë në këtë proces dhe nuk do ta miratojmë dot." Kështu, Opozita dhe maxhoranca nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët as pas negociatave disa ditore për Projektligjin e Gjykatës administrative. Madje varianti i ripërpunuar i Ministrisë së Drejtësisë ka përplasur fort kryetarin e komisionit të ligjeve me nënkryetarin e tij. Megjithëse ministri Enkelejd Alibeaj deklaroi se propozimet prej 22 faqesh të Partisë Socialiste janë përfshirë në draft, kjo e fundit ka mbetur e pakënaqur. "Është parashtruar jo vetëm vërejtja përkatëse, por dhe komenti përkatës për secilin prej vërejtjeve", tha ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. "Në qoftë se ne themi o prano letrën time, ose përndryshe kapitullo, pastaj këtu jemi në deklaratë lufte", u shpreh Ilir Rusmajli, kryetar i komisionit te ligjeve."Kjo këmishë force që doni të vishni dhe ju personalisht dhe ministri përballë nesh, nuk i bën gjë tjetër veçse, nëse ka një vullnet për konsensus e shmang këtë konsensus", kundërshtoi Fatmir Xhafa, nënkryetar i komisionit te ligjeve. "Këmishë force do të thotë që të kërkosh një takim me këta eksperte dhe ti detyrosh ti lidhësh këmbë e duar e ti thuash o prano materialin tim, ose ndryshe kjo nuk kalohet. Kjo është këmishë force", iu përgjigj Rusmajli. Më pas, palët i kanë akorduar vetes dhe disa ditë negociata, për ligjin i cili nuk mund të kalojë me shumicë të thjeshtë votash. Kështu e hëna është afati kur ekpertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ata të Partisë Socialiste do të kenë gati variantin përfundimtar të Gjykatës administrative. Diskutimi i p/ligjit Për gjykatat administrative, një nga më të rëndësishmit e reformës në drejtësi, ka nisur që në muajin nëntor të 2008-s, dhe ende nuk i është përcjellë seancës së Kuvendit, pasi opozita është shprehur kritike për pika të veçanta të tij. Drafti parashikon krijimin e rrjetit të gjykatave administrative me qëllim mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve, (një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj  në apel), një periudhe kohore shumë e shkurtër. Projektligji parashikon që sistemi gjyqësor administrativ do të përbëhet nga gjykatat në dy shkallë: gjykata e shkallës së parë administrative, që do ta ketë qendrën e saj në Tiranë dhe gjykata e Apelit administrativ. Gjykata do të jetë pala e tretë, mbi individin dhe mbi shtetin, që në kushte barazie, transparence dhe profesionalizmi do të vendosë të drejtën. Nisma e Ministrisë së Drejtësisë 'për gjykatat administrative' ka nisur fillimisht si bashkëpunim i saj me një projekt të BE-së, për të bërë të mundur sjelljen e modelit dhe përvojës më të përparuar në perëndim, në krijimin e sistemit të gjykimit administrativ. Kontribut në hartimin e draftit kanë dhënë dhe ekspertët të sistemit gjyqësor, shoqata të gjyqtarëve, KLD, shoqata të biznesit, bankave etj.

Last Updated on Thursday, 05 March 2009 10:13

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›